
Rreth 1 miliard dollarë remitanca u dërguan në Shqipëri nga shetet e tjera përgjatë vitit 2016. Shifra bëhet e ditur në raportin e fundit të Pew Research Center, e cila ka publikuar hartën globale të remitancave. Remitancat, sqaron raporti, janë fonde, ose asete të tjera, që Emigrantët dërgojnë në shtëpitë e tyre. Të dhënat raportohen nga Banka Botërore dhe përfshijnë remitancat që dërgohen nga kanale bankare, si për shembull banka dhe biznese të tjera që transferojnë paratë.
Shteti, nga i cili ne marrim më shumë remitanca, është Greqia me 463 milionë dollarë. Ky është dhe vendi që ka numrin më të madh të emigrantëve. Në vend të dytë është një tjetër shtet fqinj, Italia, me 382 milionë dollarë. Në të dy shtetet vlerësohet se jetojnë e punojnë mbi 1 milionë emigrantë. Nga këto dy vende kanë ardhur mbi 80% e remitancave në total.
Në vend të tretë janë Shtetet e Bashkuara me 77 milionë dollarë dhe më pas renditet Gjermania me 37 milionë dollarë. Nga dy vendet fqinje, Maqedoni dhe Mal i Zi vijnë përkatësisht 19 dhe 15 milionë dollarë. Nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja emigrantët sjellin përkatësisht 14 dhe 11 milionë dollarë.
Raporti i Pew jep të dhënat dhe për remitancat dalëse nga Shqipëria, të cilat në total ishin 185 milionë euro, ky kryeson Serbia me 75 milionë euro e ndjekur nga Kroacia me 31 milionë euro. Në botë, vlerësohet se rreth 574 miliardë (USD) u dërguan nga emigrantët tek të afërmit në vendet e tyre në 2016, një rënie prej 1% nga 2015, kur shuma ishte 581 miliardë dollarë, sipas ekonomistëve në Bankën Botërore.



