Veliaj në gjykatë: Nuk më lejohet të kem akses të plotë dhe real në dosje

Veliaj në gjykatë: Nuk më lejohet të kem akses të plotë dhe real në dosje

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka akuzuar organet e drejtësisë për kufizim të së drejtës së mbrojtjes gjatë seancës që po zhvillohet në Gjykatën Administrative.

 

Në fjalën e tij para gjykatës, Veliaj deklaroi se prej më shumë se dy vitesh ndaj tij janë përdorur hetime, përgjime dhe kontrolle me synimin për ta sjellë përballë drejtësisë në mënyrë denigruese. 

 

Ai tha se, edhe pse është paraqitur vullnetarisht për t’u përballur me procesin, po i mohohet aksesi i plotë në dosje, komunikimi me avokatët ndërkombëtarë dhe ushtrimi i mandatit të kryebashkiakut. 

 

Sipas Veliajt, institucionet po kërkojnë një proces të kufizuar dhe proceduralisht të cunguar, pa u shqyrtuar në themel pretendimet e tij mbi ligjshmërinë e veprimeve të ndërmarra ndaj tij. Kryebashkiaku i Tiranës e cilësoi situatën një “paradoks absurd”, duke theksuar se po i mohohet e drejta për t’iu drejtuar gjykatës për kontrollin e autoritetit që, sipas tij, ka cenuar lirinë personale dhe mandatin e dhënë nga qytetarët.

 

 

Nuk kam pasur asnjë hezitim, asnjë drojë dhe asnjë mëdyshje për t’u përballur me procesin dhe me të vërtetën as dje, as sot Dhe pikërisht këtu fillon paradoksi i vërtetë i kësaj çështjeje. Sepse për më shumë se dy vite u përdor çdo mekanizëm i mundshëm politik, mediatik dhe juridik për të më sjellë përpara drejtësisë, në mënyrën më denigruese të mundshme, për një njeri që akoma mban besimin e një qyteti të tërë për drejtimin e tij.

 

U përdorën hetime, përgjime, kontrolle, ekspozim publik dhe çdo formë tjetër e ushtrimit të pushtetit penal, me argumentin se unë duhej të vihesha përballë drejtësisë. Sot që unë ndodhem përpara drejtësisë, me vullnetin e plotë për t’u përballur me të, paradoksi është se i njëjti mekanizëm duket se nuk do më një përballje reale me drejtësinë, por një përballje të kufizuar, të kontrolluar, të shpejt dhe proceduralisht të cunguar. Sepse nuk kërkohet vetëm kufizimi i lirisë sime fizike. Kërkohet edhe kufizimi i mundësisë sime për t’u mbrojtur efektivisht e përballur me dinjitet. Mua nuk më lejohet të kem akses të plotë dhe real në dosje. 

 

Nuk më lejohet të dëgjoj të gjitha përgjimet e kryera ndaj meje. Nuk më lejohet komunikimi me avokatët e mi ndërkombëtarë. Nuk më lejohet të informoj opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar mbi natyrën reale të kësaj çështjeje. Sigurisht, nuk më lejohet as ushtrimi i mandatit që qytetarët e Tiranës më kanë besuar. Pra, ndërsa mbi mua ushtrohet çdo kufizim që mund t’i ushtrohet një qytetari, njëkohësisht bëhet gjithçka që unë të mos mund të ushtroj në mënyrë efektive ato të drejta që vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë m’i garanton. Dhe sa herë që përpiqem të ushtroj një prej këtyre të drejtave, krijohen pengesa të reja proceduriale, të cilat jo vetëm e bëjnë ushtrimin e tyre gjithnjë e më të vështirë, por përdoren më pas edhe kundër meje, për të justifikuar cenime të mëtejshme të lirisë sime personale. Vetë ky gjykim, ku ndodhemi sot, është një tjetër provë e këtij paradoksi absurd. Sepse edhe sot pala përballë, në thelb, nuk kërkon që gjykata të shqyrtojë pretendimin tim në themel. Kërkon që gjykata të mos hyjë fare në themelin e çështjes. Kërkon që Ju, zoti Gjyqtar, të mos shqyrtoni ligjshmërinë e pushtetit që është ushtruar mbi mua dhe mbi institucionin që unë përfaqësoj. Dhe kjo është ajo që e bën këtë çështje shumë më të rëndë sesa një debat procedural. Sepse në thelb të pretendimit që paraqitet përpara Jush qëndron ideja se unë nuk paskam të drejtë t’i kërkoj gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që më hoqi lirinë personale; të autoritetit që më vendosi në përgjim; që kontrolloi jetën time private dhe të familjarëve të mi; të autoritetit që hyri në çdo dimension të jetës sime personale dhe institucionale. 

 

Pra, pushteti mund të hyjë në çdo qoshe të jetës së qytetarit, por qytetari nuk paska të drejtë të pyesë: “Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi mua?”. Pra, pushteti mund të ndërhyjë mbi mandatin e një kryetari bashkie edhe në kundërshtim me kufijtë që vendos vetë ligji, por kryetari i zgjedhur nuk paska të drejtë të pyes: “Me çfare legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi bashkine dhe mbi kete qytet”? Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi më i madh i kësaj çështjeje. Unë kam bërë një padi përpara Jush. Një padi që nuk është asgjë tjetër veçse ushtrimi i një të drejte që njerëzimi e ka njohur që në lindjen e qytetërimit; nga kodet e Hamurabit deri te Kanuni i Lekë Dukagjinit: e drejta e njeriut për t’iu drejtuar një gjykimi të paanshëm dhe për të kërkuar drejtësi. As këtë nuk duan të ma lejojnë. Si i padituri Dado, ashtu edhe vetë KLP autoriteti që duhej të kishte garantuar ligjshmërinë e ushtrimit të këtij funksioni publik, sot pretendojnë se unë nuk legjitimohem t’i drejtohem gjykatës për të kërkuar kontrollin e këtij autoriteti. Sepse sipas kësaj logjike, qytetari mund të hetohet, të survejohet, të arrestohet, të izolohet dhe të kontrollohet në çdo aspekt të jetës së tij personale, familjare dhe publike; një kryetari bashkie mund t’i ndërpritet ushtrimi i mandatit të dhënë nga qytetarët; qytetarëve mund tu merret nga zyra kryetari i zgjedhur prej tyre, por në momentin që ata i drejtohen gjykatës për të kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së autoritetit që ushtron këtë pushtet, atëherë ai nuk konsiderohet më subjekt i mbrojtjes së ligjit, por rrezik për drejtësinë vetë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy