
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të bashkëpunojnë për vaksinimin kundër koronavirusit. Thirrja vjen pasi Serbia dërgoi një sasi të kufizuar vaksinash në veri të Kosovës në fund të dhjetorit, një lëvizje që qeveria në Prishtinë e cilësoi akt joligjor.
“Ne jemi duke ndjekur zhvillimet dhe duke i shikuar raportet për këto zhvillime që kanë të bëjnë me shpërndarjen e vaksinave. Autoritetet në Serbi dhe në Kosovë duhet të bashkëpunojnë ngushtë në përputhje me aranzhimet relevante nga dialogu për lëvizjen e mallrave dhe certifikimin e prodhimeve farmaceutike”, citohet nga REL Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri.
Çështja e futjes së vaksinës në Mitrovicë është ngritur pak ditë më parë edhe nga kryeministri i Kosovës në detyrë, Avdullah Hoti, i cili ia ka përcjellë shqetësimin Komisionerit të BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi.
Megjithatë, nga BE-ja nuk ka pasur asnjë deklaratë të qartë në lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë, në Kosovë, Dogana dhe Prokuroria po hetojnë rastin e futjes së vaksinës Pfizer për qytetarët serbë në Mitrovicë. Këtë e konfirmon në një intervistë për Koha.net, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.



