
Seanca e sotme në Parlament ka nisur me debate për çështjet e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Opozita e akuzon maxhorancën se kërkon të kapë edhe këtë institucion dhe ka kundërshtuar futjen e kësaj çështjeje në rendin e ditës.
Kuvendi miratoi dje kandidaturat e Suela Popës, Edlira Luçit, Ritvan Bodes, Artan Hoxhës dhe Luljeta Minxhozit. Por për PD-në, maxhoranca po voton kandidaturat që mbështet vetë, pa marrë parasysh qëndrimet e saj.
“Këtë që po bëni është shkelje flagrante e kushtetutës. Objektivi është i qartë, doni të kapni edhe bankat. BSH është organ i pavarur, organ kushtetues i pavarur. Çdo veprim për kapjen e BSH thyen kushtetutën. Ligji e përcakton që propozimet vijnë jo nga një organ i vetëm. Këshilli është organi drejtues, e thotë kushtetuta. Rregullorja e përcakton qartë. Kandidaturat vijnë me 28 firma. Një kandidat 28 firma për të fragmentuar grupi dhe mos ketë kontroll nga një dorë e vetme, tha deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se është e drejta e PS-së për të mbështetur kandidatura dhe nuk ka pse negocion me opozitën. Për Ballën, është e turpshme që PD-ja konsideron si të kapur nga qeveria ish-ministrin e saj të Financave.
“Në krah të kundërt të qëndrimit të Berishës ka zgjedhur këto dy kandidatura nga opozita. Të më thuash ti mua se Ridvan Bode është i imi dhe unë kam çuar Boden të kapë bashkë me Edi Ramën Bankën e Shqipërisë është turp! Nuk mund të vijë dita që Oerd Bylykbashi t’i bëjë gjyqin Ridvan Bodes në këtë sallë. Ta thotë që ne kemi kapur Ridvan Boden, kur Ridvan Bode ka qenë ministër në dy qeverisje të ndryshme të PD-së, edhe në Saliun e parë dhe në Saliun e dytë. Po ashtu, edhe Suela Popa është kandidaturë serioze dhe në asnjë moment nuk mund të konsiderohet si përfaqësues i PS-së. Nuk është përfaqësuese e PS-së. Nëse ju do të kishit diçka serioze, dje ishte votimi. Nuk kishit pse të shkonit të flini gjumë,”, tha Balla.



