
Gazetari Xhevair Zhabina i ftuar në ‘MCN Live’ ka komentuar pezullim me 90 ditë të fondeve nga SHBA ku një ndër institucionet që preket është dhe SPAK për të cilin u shpreh se nuk do ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe pse pa mbështetjen e partnerëve ai nuk do kishte këto rezultate.
Zhabina tha se krimi i organizuar dhe lufta ndaj korrupsionit janë dy nga fenomenet që cenojnë sigurinë kombëtare të cilat dhe SHBA i ka cilësuar si kryesore, teksa shtoi se pavarësisht këtij pezullimi nuk është parë qe amerikanët të ndryshojnë politikat.
Sipas tij mbetet për tu parë se si do vijohet pas përfundimit të këtij afati 90 ditor, por që për SPAK ka ardhur koha që të ecë me këmbët e veta.
Nuk besoj se do ketë ndikim të drejtpërdrejtë te dosjet që SPAK ka në dorë se interesi i qytetarëve është te dosjet që SPAK po heton aktualisht. Megjithatë pa mbështetjen e partnerëve SPAK nuk do kishte këto rezultate kjo dhe për shkak të presionin pozitiv që kanë SHBA dhe BE sa i takon reformës në drejtësi.
Di të them se dy ndër fenomenet që SHBA i ka cilësuar si cenim të sigurisë kombëtare janë korrupsioni dhe grupet e strukturuara kriminale të vendosura në Amerikën Latine dhe përbëjnë një shqetësim të madh të autoriteteve amerikane dhe kam përshtypjen se në këtë prizëm pavarësisht se kush e merr detyrën e presidentit në atë vend një ndër luftërat kryesore është lufta ndaj trafikut të kokainës dhe korrupsioni.
Po ashtu dhe lufta ndaj korrupsionit mbetet një prioritetet dhe deri tani s’kemi parë të ndryshojë ndonjë politikë. Vendimi i administratës amerikane mund të afektojë, por nuk kemi të bëjmë me lënien mënjanë të ndihmës ndaj SPAK por dhe të institucioneve të tjera që amerikanët mbështesin.
Më tej ai shtoi se aktualisht kemi të bëjmë me një pezullim fondesh, që janë taksa që kanë një vlerë për SHBA dhe duan të shohin në ja vlen ti mbështesin këto institucione që janë të shtrirë në të gjithë botën sepse kemi të bëjmë me një pezullim prej 90 ditësh sepse deri tani nuk shohim ndonjë ndryshim të politikave.
Nëse një program apo dokument bie ndesh me ligjet dhe kushtetutën shqiptare atëherë parlamenti ynë është i lirë të vendosë kundër apo të mos e miratojë fare draftin e përgatitur nga amerikanët dhe evropianët.
Kam përshtypjen she SPAK dhe prokuroria e posaçme ka 5 vite që është ngritur dhe duhet të ecë me këmbët e veta. Sigurisht që mbështetja e partnerëve është e rëndësishme por nuk duhet ti mbajë gjithmonë sytë nga ata.
E shoh se qasja e madhe politike në raport me fenomenet që ata kërkojnë që Shqipëria ti luftojë nuk është se ka ndryshuar, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë dy fenomenet kryesore që i lufton prokuroria e posaçme dhe për to nuk shoh se mungon mbështetja. Duhet të shohim dhe atë çfarë do ndodhë pas përfundimit të afatit 90 ditor, nëse shohim se qasja amerikane ka ndryshuar atëherë më pas këto institucione duhet t’ja dalin vetë.



