
Votuesit në Afganistan po shkojnë në votime në zgjedhjet parlamentare të lënë në hije nga organizimi kaotik, akuza për korrupsion dhe dhunë që kanë detyruar shtyrjen e votimit në provincën jugore të Kandaharit.
Disa incidente të sigurisë dëmtuan ditën e votimit dhe tre policë u vranë dhe të paktën tetë vetë u plagosën në shpërthime në Kabul. Ka pasur përleshje mes luftëtarëve talebanë dhe anëtarëve të forcave të sigurisë në të paktën tri krahina.
Shqetësimet më të gjera zgjedhore përqendrohen në problemet teknike dhe organizative me pajisjet biometrike të regjistrimit të votuesve, vendvotimet që nuk hapen në kohë, mungojnë materialet zgjedhore dhe vonesat që detyrojnë pritje të gjata.
Votues të shumtë janë parë teksa largoheshin nga një shkollë në veri të kryeqytetit afgan, pas shpërthimit, ndërkohë që dëshmitarë të shumtë kanë raportuar për shpërthime edhe në qendra të tjera votimi.
Ka pasur raporte të ngjashme nga qendra të tjera përfshirë Kabulin, dhe votuesit e zemëruar në provincën qendrore të Uruzgan u përpoqën të thyejnë pajisjet biometrike për shkak të vonesave. Të paktën 15 burra u arrestuan.
Dhimbja e kokës për organizatrët është frika nga dhuna, veçanërisht pas vrasjes së shefit të policisë së Kandaharit të enjten, i cili detyroi autoritetet që të vononin zgjedhjet në provincë për një javë.
Militantët talebanë kanë lëshuar deklarata që u thonë njerëzve të mos marrin pjesë në atë që ata e konsiderojnë një proces të imponuar nga jashtë dhe duke paralajmëruar se qendrat zgjedhore mund të sulmohen.
Mijëra policë dhe ushtarë janë vendosur në të gjithë vendin, por nëntë kandidatë tashmë janë vrarë dhe qindra njerëz janë vrarë dhe plagosur në sulmet lidhur me zgjedhjet.
Sot, rreth 9 milionë afganë kanë të drejtë të votojnë në qendrat e votimit të hapura që prej orës 4:30 të mëngjesit (7 me orën lokale), në zgjedhjet që pritet të zgjasin deri në orën 13:30 të drekës me orën tonë. Megjithatë, nga 7.000 qendra që ishin planifikuar të hapeshin, vetëm 5.000 do të jenë operacionale për shkak të frikës së sulmeve.



