Eksperti i turizmit, Zak Topuzi, thotë se krahasuar me pesë vite më parë numri i turistëve ka ardhur gjithnjë në rritje, pasi turizmi është një trend botëror dhe njerëzit vazhdojnë të lëvizin pasi janë thjeshtuar rrugët e komunikimit dhe linjat e avionit me kosto të lirë.
Duke folur për MCN Economy, ai deklaroi se problem janë strukturat akomoduese informale.
Sipas tij, turisti nuk lidhet me kombësinë, por me vendqëndrimin dhe se turist quhet çdo person që qëndron jo më pak se 24 orë dhe konsumon produkte, mund të flejë dhe në makinë apo çadër, por jo rezidentët në Shqipëri.
Turisti mund të jetë dhe shqiptar që jeton në një vend tjetër dhe qëndron 15 ditë. Jo të gjithë që kanë ardhur janë turistë, pasi janë të shumtë që e përdorin vendin tonë për tranzit.
Është një nga industritë më të rëndësishme në botë, aq më tepër për Europën e cila përfshin 50% të turistëve që lëvizin në botë.
1 në 9 punonjës në Europë janë të angazhuar në industrinë turistike, ndërsa në Shqipëri 1 në 7.
Tashmë koncepti turizëm nuk ndahet dot nga udhëtimi. Udhëtimi bashkë me turizmin konsiderohet një industri e përbashkët.
Shqipëria ka 270 mijë shtretër, nga këto vetëm 60 mijë janë hotele, pjesa tjetër janë apartamente dhe vila që lëshohen me qira ditore për turizëm.
35 mijë janë të paidentifikuara, apartamente dhe vila që jepen në mënyrë indirekte, nëpërmjet njohjes, që nuk dalin në skemën e tatimeve dhe taksave.
Informaliteti është mjaft i madh, se barrën kryesore po e mbajnë hotelet që janë vetëm 23%, ndërsa pjesa tjetër është jashtë skemës së kontrollit.
Ky ka qenë vendim politik i të gjitha qeverive deri më tani dhe Shqipëria pavarësisht se ka prani të madhe turistike, duhet të gjeneronte më shumë të ardhura nga turizmi.
Ne mbledhim 4.2 miliardë euro nga turizmi, ndërkohë që kjo shifër duhet të ishte shumë më e lartë.
Kjo kërkon një sërë mekanizmash se si qeveria ta fusë në brazdë këtë industri.
Qeveria nuk ka dashur që ta fusë në skemë që të identifikohet dhe në mars në fillim të vitit bëri një përmirësim ligjor që i detyroi këto struktura që të identifikohet dhe ata që shiten në booking po mbledh TVSH 6%, deri sa të plotësohet legjislacioni i plotë.
Është një e ardhur që nuk ka prishur vetëm konkurrueshmërinë, por bashkitë dhe komunat duhet të mbledhin të ardhurat përmes këtyre strukturave, në mënyrë që t’ia kthesh turistit në shërbim më të mirë.
Ti lë pa mbledhur një sasi të ardhurash që e paguan vetë turisti.
Qeveria i ka lënë vetë me idenë që të forcohet, por tani po krijohet një shqetësim jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Europën, se janë rriture artificialisht çmimet e apartamenteve.



