
Në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN” ka ardhur një rrëfim i veçantë dashurie, ai i italianes Ilaria Paoli, e cila në moshë shumë të re la vendin e saj për të ndërtuar një jetë në Shqipëri, në fshatin Bërxullë të Vorës.
Kam 10 vite që jetoj këtu. Erdha për dashuri. Me bashkëshortin shqiptar ishin njohur në Itali, ku ai jetonte bashkë me familjen. Isha vetëm 15 vjeçe kur nisëm lidhjen dhe pas dy vitesh, familja e tij mori vendimin për t’u kthyer përfundimisht në Shqipëri.
Erdha për herë të parë në Shqipëri në vitin 2014, për Vitin e Ri. Më pëlqeu shumë atmosfera e festave.
Mu duk një vend me ngrohtësi dhe mikpritje. Kur vendosën të ktheheshin për të jetuar këtu, unë vendosa të vij pas tij. Ishte një zgjedhje zemre.
Familja ime në Itali, edhe pse u befasua nga vendimi, më mbështeti pa mëdyshje. Ata donin lumturinë time, dhe më qëndruan pranë.
Sot, unë jetoj në një familje të madhe, së bashku me vjehrrit në një shtëpi të përbashkët në Bërxullë. Megjithëse vijë nga një qytet bregdetar në Itali, them se gjithmonë ka pëlqyer jeta në fshat.
Në fillim njerëzit habiteshin. ‘Si do jetojë kjo italiane këtu?’ Por unë jam shumë e thjeshtë dhe jam përshtatur shpejt. Më pëlqen natyra, jeta në komunitet. Edhe vjehrra ime është shumë e re, 47 vjeçe. Është si shoqe për mua, ndodh që më sjell edhe kafen!.
Unë dhe bashkëshorti jemi në proces ndërtimi të shtëpisë së tyre, por them se ndarja nga familja do na duket e çuditshme, pasi jemi mësuar të jetojmë gjithmonë bashkë në një shtëpi.
Me ardhjen në jetë të djalit të saj, Diegos, Ilaria ndjen se rrënjët e saj tashmë janë këtu.
Tani me djalin, çdo gjë ka ndryshuar për mirë. Ai na ka bashkuar akoma më shumë.
Shqipëria është bërë shtëpia jonë. Kemi vendosur që të jetojmë këtu, ta shkollim djalin këtu. Nuk e dimë çfarë na sjell e ardhmja, por për momentin jemi shumë të lumtur.
Megjithatë pasioni i Ilarias për fotografinë nuk ka ndryshuar, ajo gjen frymëzim te peizazhet shqiptare dhe natyra përreth fshatit ku jeton.



