
Të paktën 31 persona kanë vdekur dhe 14 të tjerë kanë mbetur të plagosur në burgun e Guayaquil, në Ekuador. Ky është numri i rebelimit të të burgosurve që filloi të shtunën kur qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për 60 ditë pas trazirave të përgjakshme që kanë marrë të paktën 420 jetë në burgjet e Ekuadorit që nga viti 2021. Shumë prej tyre iu prenë kokat ose u dogjën të gjallë. Përplasjet ishin midis dy bandave të lidhura me trafikantët e drogës. Forcat e sigurisë së Ekuadorit i kanë dhënë fund trazirave katër ditore në burgun El Litoral në qytetin e Guayaquil, 270 kilometra në juglindje të kryeqytetit Quito, duke rimarrë kontrollin e plotë. Mediat vendase raportojnë se bandat kriminale që luftuan për të kontrolluar trafikun në nëntë pavionet e burgut janë Los Lobos dhe Tiguerones. Ushtria dhe policia kanë hyrë në burg për të rivendosur rendin dhe për të kërkuar armë, municione, eksplozivë dhe sende të tjera të paligjshme të përdorura në betejat e vazhdueshme. El Litoral konsiderohet qendra e paraburgimit më e dhunshme në Ekuador, ku në 28 muajt e fundit ka pasur 14 episode të ndryshme të dhunshme. Ka një kapacitet prej rreth 9500 të burgosurish, por në tremujorin e parë të 2023 e ka tejkaluar këtë numër me afro 3000. Ndërkohë, të burgosurit në 13 burgje të tjera kanë shpallur grevë urie dhe mbajnë peng 96 gardianë për të kërkuar ndër të tjera kushte më të mira shëndetësore dhe ushqim. Ekuadori shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të gjitha burgjet e tij të martën pas një sërë incidentesh të dhunshme, duke përfshirë të shtëna dhe shpërthime, që ndodhën në një nga burgjet e tij më të rrezikshme.



