
Një raportim i BBC nga Afganistani i rikthehet situatës shumë të vështirë të grave në Afganistan, e cila është kthyer në duart e talebanëve. Rastet e depresionit dhe ajo që disa specialistë përcaktojnë si një “pandemi e vërtetë e mendimeve vetëvrasëse” janë gjithnjë e më të zakonshme.
“Unë thjesht dua që dikush të dëgjojë zërin tim. Unë vuaj dhe nuk jam e vetmja,” thotë një studente afgane e universitetit.
Shumica e vajzave në klasën time kanë pasur mendime për vetëvrasje.
Të gjithë ne vuajmë nga depresioni dhe ankthi. Nuk kemi shpresë.
Vajza e re, në të njëzetat, tentoi vetëvrasjen katër muaj më parë pasi qeveria talebane i ndaloi studentet femra të ndiqnin universitetin në dhjetor të vitit të kaluar. Tani ajo po trajtohet nga një psikolog.
Fjalët e sajj ofrojnë pasqyrë për një krizë shëndetësore më pak të dukshme, por urgjente me të cilën përballet Afganistani.
“Ne kemi një pandemi të mendimeve vetëvrasëse në Afganistan. Situata është më e keqja ndonjëherë dhe bota rrallë mendon apo flet për të”, thotë psikologia Dr Amal (emri është fiktiv).
Kur lexoni lajmet, lexoni për krizën e urisë, por askush nuk flet për shëndetin mendor.
Është njëlloj sikur njerëzit po helmohen ngadalë. Dita-ditës po humbasin shpresat.
Dr. Amal thotë se ka marrë 170 kërkesa për ndihmë brenda dy ditëve që nga njoftimi se vajzat do të ndalohen nga universitetet. Aktualisht ajo merr shtatë deri në dhjetë kërkesa të reja për ndihmë çdo ditë. Shumica e pacientëve të saj janë vajza dhe gra të reja.
Në shoqërinë thellësisht patriarkale të Afganistanit, të shkatërruar nga katër dekada lufte, OKB-ja vlerëson se një në dy njerëz, shumica prej tyre gra, vuanin nga shqetësimi psikologjik edhe para pushtimit të talebanëve në vitin 2021. Por ekspertët i thanë BBC-së se gjërat tani janë më keq se kurrë për shkak të goditjes nga qeveria talebane ndaj lirive të grave dhe krizës ekonomike në vend.
"Situata është katastrofike dhe kritike. Por ne nuk lejohemi të regjistrojmë apo të aksesojmë statistikat e vetëvrasjeve. Megjithatë, mund të them me bindje se vështirë se mund të gjesh dikë që nuk vuan nga një sëmundje mendore,” thotë Dr. Shaan, një psikiatër në një spital publik në Afganistan.
Një studim i kryer në provincën Herat nga Qendra e Afganistanit për Studime Epidemiologjike, i publikuar në mars të këtij viti, tregoi se dy të tretat e adoleshentëve afganë raportojnë simptoma të depresionit.



