Studentët protestues të Serbisë kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare të hënën në mbrëmje, në atë që e quajtën një pikë kthese në historinë e vendit.

Në një postim në platformën “X” të profilit “Studentët në Bllokadë”, u kërkua shpërndarja e menjëhershme e Parlamentit dhe thirrja e zgjedhjeve të parakohshme në përputhje me Nenin 109 të Kushtetutës.
Aty thuhej se ata e morën vendimin në një nga pikat kthese në historinë e vendit dhe si grupi shoqëror më i besuar nga publiku.
“Ne besojmë se demokracia është e vetmja mënyrë e saktë për të zgjidhur krizat politike të kësaj përmase dhe po i bëjmë thirrje popullit të mbështesë listën që ‘Studentët në Bllokadë’ në të gjitha universitetet në Serbi do të miratojnë në mënyrë që e vërteta të triumfojë.
Studentët janë përpjekur intensivisht të përmbushin kërkesat e tyre duke përdorur të gjitha mjetet legjitime dhe paqësore. Pavarësisht kësaj, kërkesat e studentëve ende nuk janë përmbushur dhe autoritetet nuk po tregojnë iniciativën më të vogël për të përmbushur këto kërkesa në të ardhmen.
Lëvizja studentore nisi protesta me përmasa të papara, tregoi se zëri i të rinjve nuk është vetëm zhurmë, por një forcë që mund të nisë ndryshimin, të rivendosë dinjitetin dhe vërtetoi se sovraniteti i vendit tonë është në duart e popullit. Me bindje të fortë se kërkesat tona janë të drejta, themi se rrënjët e korrupsionit në autoritete kanë shkuar shumë thellë në institucionet shtetërore të cilat janë penguar të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur”.



