Avokati i Popullit ka kërkuar mbylljen me urgjencë të pesë institucioneve të vuajtjes së dënimit në Shqipëri, për shkak të kushteve degraduese dhe cenimit të dinjitetit njerëzor. Në raportin vjetor të vitit 2025 evidentohet situata problematike në burgun e Burrelit, Kosovë-Lushnjë, burgun e Kukësit, si dhe në institucionet “Mine Peza” (302) dhe “Jordan Misja” (313).
Sipas raportit, mbipopullimi në burgje arrin deri në 65 për qind, ndërsa vetëm 21 për qind e rekomandimeve të Avokatit të Popullit rezultojnë të zbatuara.
Për këtë çështje foli në studion e lajmeve në MCN TV avokati Gentjan Serjani, i cili tha se problematikat në burgjet shqiptare janë të hershme dhe të përsëritura ndër vite.
Është një problematikë që ka ekzistuar ndër vite. Në raportet e Avokatit të Popullit është evidentuar vazhdimisht shkelja e të drejtave të personave, sidomos atyre me probleme të shëndetit mendor. Kemi parë që në vitin 2025 vetëm 21% e rekomandimeve janë zbatuar.
Ai theksoi se kërkesa për mbylljen e pesë burgjeve duhet të shoqërohet edhe me një rishikim të politikës së masës së sigurisë “arrest me burg”.
Nëse sot kemi mbipopullim në burgje, duhet të kuptojmë se mbyllja e këtyre institucioneve ngre pyetjen se ku do të sistemohen të dënuarit. Duhet rishikuar politika e arrestit me burg. Problemi po sillet në vëmendje tani edhe për shkak se ka individë nga politika që po përballen me këto kushte në këto institucione.
Sipas avokatit, shqetësimi më i madh mbetet mungesa e shërbimit shëndetësor për të burgosurit.
Kemi vite që shohim qytetarë shqiptarë që kanë humbur jetën për shkak të mungesës së ndihmës së shpejtë. Për mua, mungesa e trajtimit shëndetësor është edhe më e rëndë sesa mbipopullimi. Institucionet duhet të marrin masa urgjente, sepse ky është alarmi kryesor.



