Kina burgos shkencëtarin që krijoi dy bebet e para me gjene të modifikuara (VIDEO)

Kina burgos shkencëtarin që krijoi dy bebet e para me gjene të modifikuara (VIDEO)

Disa muaj më parë, Ai Jiankui i mburrej botës se kishte sjellë në jetë bebet e para në botë, të modifikuara gjenetikisht. Sot, ai është dënuar me 3 vjet burg dhe një gjobë të majme pikërisht për eksperimentin e tij.

Shkencëtari kinez shokoi botën në vitin 2018, kur njoftoi se vogëlushet binjake Lulu dhe Nana kishin lindur me ADN të modifikuar, për t'i bërë ato rezistente ndaj virusit HIV, një korrigjim gjenetik që ai arriti ta bëjë gjatë shtatzënisë falë CRISPR-Cas9, një teknikë e modifikimit gjenetik.

He është profesor i asociuar në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Shenzhen. Kur publikoi rezultatet, ai tha se ishte krenar për punën e tij. Pak kohë pas kësaj, He njoftoi se një tjetër grua ishte shtatzënë dhe priste një fëmijë të modifikuar gjenetikisht.

Por, puna e He nuk u prit mirë nga komuniteti shkencor. Shumë nga kolegët e tij në vende të ndryshme të botës e cilësuan eksperimentin e tij "monstruoz", "joetik" dhe një "goditje të madhe" për reputacionin e studimeve kineze në biomjekësi. Shumë njerëz në komunitetin shkencor ngritën shqetësime etike lidhur me transparencën për korrigjimin e gjeneve dhe sa kishin rënë dakord gratë që u përfshinë në këtë eksperiment.

Të hënën, Gjykata Popullore e Qarkut Shenzhen Nanshan e dënoi atë me tre vjet burg dhe një gjobë prej 3 milion juan (430 000 dollarë), njofton agjencia shtetërore e lajmeve, Xinhua.

Sipas gjykatës, He i kuptoi përfitimet financiare që vinin nga teknologjia e korrigjimit të gjeneve të embrionit njerëzor në 2016, raporton Xinhua. Ai ka punuar me dy studiues të tjerë, Zhang Renli dhe Qin Jinzhou.

"Gjykata arriti në përfundimin se të tre mjekët shkelën me qëllim rregulloret përkatëse kombëtare për kërkimin shkencor dhe menaxhimin mjekësor, kaluan kufijtë e etikës shkencore dhe mjekësore dhe vunë në zbatim në mënyrë të nxituar teknologjinë e korrigjimit të gjeneve te njerëzit", raporton Xinhua. "Natyra e sjelljes së tyre është serioze dhe përbën krimin e praktikës ilegale mjekësore".

Dënim me burg dhe gjobë morën edhe dy kolegët e He, ndërsa të tre të pandehurve u është ndaluar përjetë përfshirja në shërbime të teknologjisë riprodhuese.

Korrigjimi i gjeneve të embrioneve të destinuara për shtatzëni është i ndaluar në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Në Britaninë e Madhe, embrionet mund të korrigjohen vetëm për qëllime kërkimore me miratim të rreptë rregullator. Ajo që nuk dihet ende është nëse procedura është e sigurt apo nëse mund të ketë pasoja të tjera për foshnjat më vonë në jetë apo për gjeneratat e ardhshme.

Në janar të këtij viti, hetuesit nga Komisioni Shëndetësor i Provincës Guangdong konkluduan se He e kishte kryer punën kërkimore "në ndjekje të famës personale dhe pasurisë, me fonde të mbledhura, por pa transparencë me organet mbikëqyrëse". Autoritetet gjithashtu thanë se He falsifikoi raportet e analizës etike dhe testet e gjakut për të shmangur ndalimin e riprodhimit të asistuar për pacientët me HIV pozitiv.

Kina ka investuar shumë në teknikën e korrigjimit të gjeneve, duke vënë e para në zbatim metodën CRISPR-Cas9 në vitin 2016. / CNN /Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy