
Avokati Redon Meksi në një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv tha se Saranda ka pafund monumente kulture të çdo epoke të cilët mund të vizitohen nga turistët.
Meksi thotë se Finiqi është djegur i gjithi nga zjarri i fundit dhe se mesatarisht ai vizitohet vetëm nga 5 persona në ditë.
Saranda ka pafund monumente kulture, të çdo epoke. Që nga epoka e gurit, ka vendbanime të hershme të epokës së gurit deri në mesjetën e vonë dhe kohën e Rilindjes shqiptare.
Kalaja e Lëkurësit është e mirëmbajtur, mund ta quaj kështu por është bërë nga private. I është dhënë monumenti i kulturës një privati për të bërë lokal. Nuk është se është sot. Ka pasur dhe ndërhyrje të gabuara në këtë monument, por përsëri është në rregull.
Në Finiq, i cili është kryeqyteti i kaonëve për një periudhë të gjatë dhe kryeqyteti i Epirit për një periudhë më të shkurtër deri sa e mori Teuta dhe më pas Roma. Ka qenë një nga qytetet më të mëdha të jugut. Është kalaja që i bashkëngjitet asaj të Orikut në Orikum të Himarës.
Finiq është djegur komplet nga zjarri i fundit, gjithë gjelbërimi është i djegur.
Finiqi është komplet i lënë pas dore. Maksimumi shkojnë 10 vizitorë, mesatarisht shkojnë 5. Është goxha i bukur si qytet po të gërmohet siç duhet. Gërmimet bëhen me 10-ditëshe në shtator të çdo viti nga një grup italo-shqiptar. Po të kishte fonde do të ishte goxha më i restauruar dhe më i mirëmbajtur. Ka këto gurët e mëdhatë antikitetit.
Sipas Meksit, Saranda është e ndërtuar keq prej vitesh dhe nuk mund të zhbëhet më.
Saranda është e ndërtuar keq prej vitesh, nuk zhbëhet më ai lloj ndërtimi që është bërë. Tani thjesht duhet të jepen shërbime më shumë.
Muzeu arkeologjik i Sarandës është një muze shumë i vogël, një dhomë 60 metra katror.
Avokati tha se në restorantet e Sarandës vijon të gatuhet shumë mirë, por që në krahasim me vjet çmimet janë pak më të larta.
Çmimet në restorantet e Sarandës ishin pak më të shtrenjta se vjet, gatimet shumë të mira por me çmime pak më të shtrenjta dhe se pjesët e tjera të jugut.
Meksi tha se Manastiri i Mesopotamit është një nga më të veçantit që ai ka parë.
Manastiri i Mesopotamit është tej mase i veçantë. Po restaurohej në këto momente. Ishte një grup restauruesish grekë që po pastronin pjesën e afreskëve. Ky manastir është i ndërtuar në shekullin e XII, në kohën e anzhuinëve. Është stil anzhuin. Ka gdhendjet e bukura. Ka një veçanti ndryshe nga kishat e tjera. Ka dy altare, një altar për ortodoksët një për katolikët. Ishte një kishë e vendosur në Shqipëri që përdorej nga dy ritet krishtere që nuk e gjen vend tjetër. Është tej mase e bukur. Është i veçantë për pjesën e dy feve në një kishë. Nuk e gjen në asnjë vend tjetër të Ballkanit apo dhe Europës.



