Gazetari Xhevair Zhabina në MCN Live ka komentuar lidhur me ngjarjen e ndodhur në Shëngjin ku u ekzekutua në lokalin e tij Ardian Nikulaj. Ai tha se pritet një betejë e vështirë ligjore sa i përket ekstradimit të shtetasve britanikë të përfshirë në vrasjen e Nikulajt. Sipas tij, thelbi për zgjidhjen e çështjes mbeten provat shkencore.
Sfida më e madhe për autoritetet është sjellja e këtyre personave në Shqipëri. Shkalla e parë mund të mbyllet në një javë, por nuk mendoj se do mbyllet brenda datës 5 maj, besoj se do jetë një betejë e vështirë ligjore për të sjellë këta persona nga Britania. Sigurisht që në media është thënë se ka prova shkencore, por duhet parë nëse këto prova do të merren në konsideratë nga autoritetet britanike. Më duket pak e vështirë të bindësh gjykatën britanike vetëm me pamje filmike pa prova shkencore për të gjithë atë që ndodhi në Shëngjin.
Në vijim, ai theksoi se kjo ngjarje nuk mund të ketë një çmim prej 80 pundësh sepse vetëm qëndrimi i portugezit në hotel kushton më shumë. Zhabina tha se është nga ato ngjarje që shkon nga 200-300 mijë euro apo ndoshta dhe më shumë.
Duhet parë dhe historia se kur ka qenë hera e fundit qëkur Britania ka ekstraduar një britanik drejt Shqipërisë. Aktualisht prova kryesore që flitet janë kamerat e sigurisë pasi personat anglezë kanë qëndruar në lokal dhe duket nga pamjet që janë duke folur dhe shtetasi portugez ka hyrë dhe ka kryer vrasjen. Objektivi ka qenë shumë pak i mbrojtur atë ditë dhe pikërisht këtë ditë këta persona janë parë duke komunikuar me ta dhe kanë kryer vrasjen. Ka dhe një provë ADN që është gjetur një bisht cigareje dhe një nga personat e shpallur në kërkim është e njëjtë me ADN e gjetur në bishtin e cigares. Data 5 do të jetë mjaft e rëndësishme për të parë nëse do kemi ekstradim apo jo. Duhet thënë se policia dhe prokuroria jonë janë në rregull se i dhanë zgjidhje një zallamahie që po ndodhte që është politike apo nuk është politike.



