
Në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamenti Evropian u shqyrtua draft-raporti mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, ku u theksua nevoja për më shumë bashkëpunim politik dhe forcim të standardeve demokratike.
Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, David McAllister, vlerësoi hapat e ndërmarra nga Shqipëria, duke nënvizuar se vendi ka hapur kapitujt e negociatave dhe pret vlerësimin e radhës. Ai theksoi se procesi i anëtarësimit është individual për çdo shtet dhe kërkon përpjekje të vazhdueshme për të sjellë përfitime konkrete për qytetarët.
Sipas tij, është thelbësore që mazhoranca të garantojë hapësira për opozitën, ndërsa kjo e fundit të tregojë konstruktivitet, në mënyrë që të forcohet demokracia dhe të ecet përpara në rrugën europiane.
Inkurajojmë dialog politik është me rëndësi që edhe mazhoranca të krijojë hapësira për opozitën dhe opozita të bëhet më bashkëpunuese në interes të popullit dhe të demokracisë. Ne kemi parë progres në Shqipëri. Kemi bërë vizitë në Shqipëri ashtu si edhe pak ditë më parë ku kemi vënë edhe progreset e shënuara.
Nga ana tjetër, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, shprehu shqetësime për klimën politike në vend.
Draft-rezoluta evidenton një ambient të polarizuar dhe retorikë përplasëse, çka dëmton funksionimin normal të jetës parlamentare dhe ul besimin e qytetarëve tek institucionet.
Raporti vë në dukje se, ndonëse kuadri ligjor për zgjedhjet konsiderohet përgjithësisht i përshtatshëm, mbeten problematika serioze si presioni ndaj votuesve dhe tensionet politike të kohëve të fundit.
Gjithashtu, çështja e korrupsionit vazhdon të mbetet sfidë, pavarësisht progresit të arritur përmes reformave. Theksi vihet te nevoja për hetime të nivelit të lartë dhe vendime përfundimtare nga drejtësia, në mënyrë që të forcohet sundimi i ligjit dhe besimi publik.



