Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori ka shpallur sot kandidaturën për të garuar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit. Duke folur në emisionin “Zonë e Lirë” Qori tha se periudha e shkurtër para zgjedhjeve e bënte të pamundur që Lëvizja Bashkë të kishte një kandidat tjetër, ndonëse ky ishte një opsion i mundshëm.
“E kemi marrë vendimin pas një kuvendimi të gjatë brenda nesh, në Këshillin Koordinues të Lëvizjes Bashkë. Ka qenë gjithmonë opsioni që mos jem unë kandidati, por periudha e shkurtër kohore e bënte të pamundur që të kishim një alternativë tjetër. Vendosa të jem unë. Mua më pëlqen shumë si garë. S’e di pse më pëlqen më shumë gara për kryetar bashkie se sa për deputet”.
Qori vuri në dukje se Lëvizja Bashkë po ekspozon të gjitha potencialet politike, ku Redi Muçi është deputet, Mirea Ruko këshilltare në Bashkinë Tiranë, dhe ai tanimë garon për kryebashkiak të kryeqytetit.



