Parlamenti pritet të mblidhet të hënën në orën 18:00 në një sesion të jashtëzakonshëm, gjatë të cilës do të diskutohen një sërë çështjesh. Të hënën pritet lirimi nga detyra dhe emërimi i gjashtë ministrave, zv.kryeministrit dhe disa drejtorëve në bazë të marrëveshjes së arritur pak ditë më parë mes kryeministrit Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Në seancën e së hënës do të miratohen anëtarët e opozitës në 3 komisionet ad hoc të vetingut, miratimi i paketës ligjore që lidhet me reformën zgjedhore, si dhe zgjedhja e kryetarit dhe një anëtari të KQZ-së.
NJOFTIMI I KUVENDIT
Bazuar në nenin 74 të Kushtetutës dhe në nenin 42 të Rregullores së Kuvendit, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama, i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë të motivuar me shkrim për thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm. Kërkesa ka përcaktuar që thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm të zhvillohet ditën e hënë, më datë 22 maj 2017, në orën 18.00. Rendi i ditës i seancës plenare do të përmbajë diskutimin dhe votimin e çështjeve për vënien në zbatim të Marrëveshjes Politike të datës 18 maj 2017, lidhur me: Votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave; Shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore që ka lidhje me reformën zgjedhore; Miratimin e anëtarëve të pakicës parlamentare në 3 komisionet ad hoc të vettingut, si dhe caktimin e zëvendësuesve; Zgjedhjen e Kryetarit dhe një anëtari të KQZsë. Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe afatet e parashikuara në të, Kryetari i Kuvendit do të nxjerrë urdhrin për mbledhjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm dhe do të publikojë rendin e ditës.



