
Dëshmia e moderatorjes Luana Vjollca në Prokuroi ka zbardhur të gjithë historinë e përndjekjes së saj nga 29-vjeçari nga Gjakova, Ajdin Morina. Arrestimi i tij u bë pak ditë më parë, pasi më 1 shkurt në orën 21:30 Luana u paraqit për të kallëzuar të riun që e kishte shqetësuar me përndjekje dhe me të cilin në një proces gjyqësor, që nuk kishte mbaruar akoma dhe nuk ishte marrë asnjë vendim.
Prokuroria e Tiranës nisi më 2 shkurt hetimet për ngjarjen dhe ngrihi akuzën penale ndaj të riut për ‘Përndjekje’, të cilin e arrestoi atë ditë.
“Në 31 janar Ajdin Morina kishte shkuar në rezidencën ku banon shtetasja Luana Vjollca, por nuk e kishin lënë shërbimet e sigurisë që ai të hynte. Ajdin Morina ishte larguar pas disa kohësh, por ai kishte kërkuar që të takohej me Luanën pasi ishte një fans i saj”, thuhet në procedimin penal të zbardhur nga organi i akuzës.
Një ditë më pas, në 1 shkurt, në orën 14:20, ai kishte qenë sërish te vendi i punës së Luana Vjollcës, ku kishte tentuar që të hynte për ta takuar, por nuk e kishin lënë që të hynte shërbimi i sigurisë.
Sipas dëshmisë së Luanës, Morina i dërgonte asaj email-e që prej një viti. Fillimisht i shkruante në rrjetet sociale, por pasi Luana e bllokoi, nisi t’i shkruante në email-in e punës që e ka të afishuar në “Instagram”.
“Me anë të këtyre mesazheve në e-mail, ai i shprehej se ajo do të ishte e tij me zor, si dhe kishte terrorizuar familjarët e saj. Luana Vjollca ka deklaruar se Ajdin Morina është bërë një shqetësim për të, pasi ajo nuk mund të jetojë një jetë normale dhe për këtë ka punësuar një truprojë që ta shoqërojë, pasi ky shtetas i ka shkaktuar gjendje ankthi dhe frike. Ajdin Morina, megjithëse është dërguar për gjykim për këtë vepër penale në dëm të shtetases Luana Vjollca, ka vazhduar me përndjekjen e tij ndaj saj, duke shkuar te vendi i punës, duke shkuar në banesën e saj dhe duke vazhduar të kryejë veprime që krijojnë gjendje ankthi dhe frike”, thuhet në dokument.
Të njëjtin person Luana Vjollca e kishte denoncuar edhe në maj të 2020-s. Prej kohësh moderatorja 29-vjeçare shfaqet në publik vetëm në praninë e një truproje dhe lëviz me shofer personal.
Lexo edhe (kliko titujt):



