Speciale/ Ndryshon projekti i Unazës së Madhe, shemben edhe 60 shtëpi (VIDEO)

Speciale/ Ndryshon projekti i Unazës së Madhe, shemben edhe 60 shtëpi (VIDEO)

Rreth një vit më parë u shembën 153 shtëpi për t'i hapur rrugën ndërtimit të Unazës së Madhe në kryeqytet. Edhe pse projekti u kontestua nga banorët, kompania vijoi punimet.

Nga 153 shtëpitë që u shembën, jo të gjitha u dëmshpërblyen. Shumë prej tyre përveçse nuk morën dëmshpërblim, u gjobitën me 5 milionë lek të vjetër pasi akuzoheshin për ndërtim pa leje. Ndërkohë ata të cilët kishin certifikatë pronësie dëmshpërbleheshin vetëm për truallin, ndërsa ata të cilët kishin edhe legalizimin përfitojnë edhe vlerësimin e ndërtesës. Por sot rreth një vit pas ngjarjes së zhurmshme për nxjerrjen e pronarëve nga shtëpitë e tyre, banorët ankohen se shteti as nuk i ka dëmshpërblyer dhe as nuk u ka paguar qiranë

Ndërkohë një tjetër ankesë e atyre është masa e dëmshpërblimit. Për televizionin Tema, banorët shprehen se paratë që do të marrin nga dëmshpërblimi nuk kanë as mundësi që të blejnë një tjetër ku të strehohen.

E ndërsa u mendua se çështja e shembjeve të shtëpive për ndërtimin e unazës së madhe përfundoi, një ndryshim në projekt bëri që unaza të përpijë edhe 60 ndërtesa të tjera.

Në një përgjigje zyrtare për televizionin TemA, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës deklaron se nga 60 ndërtesat, vetëm 15 prej tyre janë me dokumentacion të rregullt ndërsa pjesa tjetër janë të vetëdeklaruar për t'u legalizuar. 

Për këto objekte, ARSH i ka kërkuar ALUIZNIT për t'i trajtuar me përparësi nëse do të përfshihen ose do të përjashtohen nga legalizimi.

Një gjë e tillë është konfirmuar për televizionin Tema edhe nga ALUIZNI, ku deklarohet se projekti i ndryshuar për lotin e tretë të Unazës së Madhe ka mbërritur në drejtoritë përkatëse dhe po procedohet.

Ndërkohë, të pyetur se në çfarë mase do të dëmshpërblehen banorët që preken nga projekti, Ministria e Infrastrukturës dha këtë përgjigje.

"Vlerësimet do të kryhen sipas përcaktimit nga dokumenti i pronësisë: nëse është tokë arë do të dëmshpërblehet si e tillë ose si “truall” dhe vlerësimi do të bëhet sipas çmimeve që merren nga Agjencia e Trajtimit të Pronave në varësi të zonës kadastrale. Konkretisht për tokën “truall” është e ndryshme për dy zona kadastrale: zona kadastrale 8170 e ka vlerën 32878 lekë/m2 dhe zona kadastrale 8180 e ka vlerën 31270 lekë/m2, zona kadastrale 3976 per “arën” është 448 lekë/m2 dhe për truallin është 479 lekë/m2", thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Banorët vetë shprehen për mikrofonin e Televizionit Tema se ata kanë mbi 15 vjet që kanë plotësuar dokumentet tek ALUIZNI por deri në këto kohë janë zvarritur

Disa prej banorëve në Shkozën e sipërme ngrenë dyshimet se devijimi mund të jetë bërë për interesa që nuk dihen, pasi siç shprehen ata  në krahun tjetër hapësira është pa ndërtesa.

Ata kanë kërkesa konkrete për kryeministrin Edi Rama. Por ky i fundit as nuk kishte pranuar për t'i takuar kur të martën, më 16 tetor, inspektoi punimet

Rasti i Ndërtimit të Unazës së Madhe është ndjekur me kujdes edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit.

Sipas Jaupit, raporti ka evidentuar se IKMT ka vepruar në mungesë transparence

Një tjetër shkelje ligjore në të gjithë këtë proces është evidentuar edhe tek ALUIZNI. Ajo ka të bëjë me stërzgjatjen e procesit të legalizimit të shtëpive. Banorët kanë kryesisht mbi 10 vite që kanë aplikuar dhe sipas kodit pë procedurave administrative, përgjigja duhet të vinte brenda tre muajve por në të vërtetë ato nuk kanë zgjatur as tre vjet, por më shumë se 15 vjet.

Jaupi e sheh këtë edhe si një mundësi që banorët ta çojnë në gjykatë dhe të kenë shpresë që të dëmshpërblehen.

Por edhe pse eksperti i Avokatit të Popullit shprehte se një mundësi e tillë që qytetarët të fitojnë diçka dhe mos të mbeten në qiell të hapur, jashtë kamerave banorët thonë se nuk e dinë se çfarë do të bëjnë në të ardhmen. Ata kanë thjesht një kërkesë. Nuk duan që të mbeten në qiell të hapur.

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy