Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live dha detaje në lidhje me paraqitjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në SPAK, i cili qëndroi për afro 8 orë në Prokurorinë e Posacme. Rusta vë në dukje se Veliaj është marrë në pyetje nga oficeri i BKH, Alsaid Sinani, dhe ka pasur një listë të gjatë pyetjesh. Nëse statusi i Veliajt do të mbetet “person në dijeni të rrethanave të hetimit” në lidhje me aferën e inceneratorit, ai nuk pritet të merret më në pyetje në lidhje me këtë çështje.
"Ka qenë një seancë maratonë pyetjesh për kryebashkiakun Veliaj. Nuk është një prani e tij me dëshirë, por është përgjigjja e një fletë-thirrje të firmosur nga prokurori Dritan Prençi. Ka qenë oficeri i BKH Alsaid Sinani, i cili ka marrë në pyetje Veliajn. Ka qenë një listë e gjatë pyetjesh që lidhen me veprimet e kryebashkiakut, Këshillit të Bashkisë, administratës së bashkisë, vartësit të Veliajt, raporti me kompaninë ‘Integrated Energy’ që menaxhon landfillin dhe inceneratorin e kryeqytetit, masën e sekuestros, përpunimin e mbetjeve, kontratën e cila vazhdon ende të paguhet fatura nga bashkia e kryeqytetit, por edhe si kanë qenë raportet me Ministrinë e Mjedisit dhe Ekonomisë. Ka përfunduar pas afro 7 orë e 30 minutash.
Procedorialisht është ezauruar për z.Veliaj procesi i marrjes në pyetje. Z.Veliaj ishte thirrur si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit dhe nuk është se do të pyetet një herë të dytë, apo të tretë. Nëse SPAK do konkludojë me përgjegjësi penale më pas duhet të veprojë me kërkesa për masë sigurie, por momentalisht statuti i Veliajt është person që ka dijeni për rrethana të hetimit. Procedurialisht inceneratori i Tiranës është drejt fundit, pasi është masa e tretë kjo që po zhvillohet, ku janë pyetur biznesmenë, pronarë mediash, gazetarë, politikan”.



