Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar në gjykatë kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara ndaj dy shtetasve, Jusel Micit dhe Mendim Domit, të cilët janë nën hetim pasuror dhe po përballen me drejtësinë për vepra penale në kuadër të një organizate kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa për konfiskim vjen në vijim të vendimit nr.1, datë 7.2.2025, të Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit pasuror nr.8 të vitit 2024.
Dy shtetasit janë subjekt i hetimit pasuror bazuar në Ligjin nr.10192, datë 3.12.2009, i ndryshuar, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”.
Jusel Mici dhe Mendim Domi po gjykohen gjithashtu në kuadër të procedimit penal nr.166 të vitit 2021 për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe prezumohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale.
Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi përfshijnë:
Apartamente dhe njësi banimi në Tiranë;
Njësi shërbimi me sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Bulevardit të Ri;
Vila në Gjirin e Lalzit dhe në komplekse turistike rezidenciale;
Sipërfaqe toke (arë) në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk;
Garazhe në Njësinë Administrative nr. 9, Tiranë;
Automjete të markave BMW dhe Audi;
Kuota pjesëmarrjeje në shoqërinë tregtare “SUPER FOODS” sh.p.k.;
Llogari bankare në Union Bank me balanca në euro dhe lekë.
Sipas SPAK, vlera totale e pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi arrin në 1,976,870 (një milion e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë) euro dhe 9,330,062 (nëntë milionë e treqind e tridhjetë mijë e gjashtëdhjetë e dy) lekë.
SPAK thekson se mbetet e angazhuar në zbatimin e ligjit dhe në mbrojtje të interesit publik, duke vijuar goditjen e aseteve që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.



