Kryeministri Edi Rama duke folur për sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës, gjatë Kongresit Kombëtar të Arsimit, deklaroi se mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore, është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit.
Rama tha se mjafton të lundrohet në të gjithë kanalet e informacionit që të shikohet se çfarë ndodh me gjuhën shqipe, me shenjat e pikësimit, pikat mbi ë, çfarë ndodh me formulimin e strukturës së fjalive dhe ortografinë në tërësi.
Teksa brezi më i ri përfshihet me shpejtësi marramendëse në rrugën e komunikimit përmes celularëve dhe kompjuterëve, gjuha është më e rrezikuara. Kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë, por të gjitha gjuhëve që janë në presion për të komunikuar në një moment kur distanca është zeruar.
Domosdoshmëria për të rritur standardet e arsimit, është një emergjencë e madhe. Gjithë procesi i mësimdhënies dhe mësimarrjes është në presionin e vazhdueshëm të teknologjisë, libri bëhet gjithnjë e më i huaj dhe rrugët e komunikimit bëhen gjithmonë e më kaotike.
Sot kemi nevojë më shumë se kurrë më parë, për të bashkuar mendjet tona përtej kufijve të Shqipërisë, në hapësirat e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, apo zonave ku shqiptarët jetojnë në emigracion dhe janë shpërngulur.
Ka rëndësi që ky bashkim mendjesh të na japë më shumë të kuptojmë se çfarë duhet të vendosim për të nesërmen. Forcat që kërcënojnë gjuhën janë të atilla që për nga përmasat dhe presioni që ushtrojnë mbi mendjet dhe rrugët e komunikimit të më të vegjëlve, duken gati gati të pathyeshme.
Enciklopedia shqiptare, fjalori i madh i gjuhës shqipe dhe libri themelor i historisë shqiptare, janë projekte që kanë hyrë në rrugën e jetësimit të tyre.
Është për të ardhur keq që për shumë e shumë vitesh, mbase është koha për të diskutuar futjen e gjuhës shqipe në çdo nivel të arsimit.
Është mirë që kemi sistem të provimit të anglishtes, por është mangësi që s’kemi po të njëjtin sistem për gjuhën tonë amëtare.
Në këtë drejtim Rama nënvizoi rëndësinë e gjuhës angleze, por tha se duhet të vijë pas shqipes.
Kreu i qeverisë e cilësoi si lajm shumë të mirë fillimin e vitit të ri shkollor me një abetare të njehsuar mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Kryeministri deklaroi se mësuesit u hoqën nga kthetrat e politikës dhe u mundua që trajtohen gjithnjë e më mirë, shoqëruar me vendosjen e një procesi të pavarur dhe transparent në portalin "Mësues për Shqipërinë", situatën e mësuesve.
Kongresi i arsimit i cili do të jetë në datat 12 dhe 13 shtator, përqendrohet në “sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian” dhe ka për qëllim të bashkojë në një hapësirë diskutimi shumë aktorë në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Pjesëmarrja në këtë kongres, e shumë autoriteteve të institucioneve arsimore, rektorëve, akademikëve, pedagogëve, studiuesve, politikëbërësve nxit bashkëpunimin e ndërsjella për sfidat e të ardhmes, për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit europian.



