Shtyhet sërish seanca për ish-kryeprokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur shtyrjen për në nëntor të gjykimit të dosjes së ish-kryeprokurorit të përgjithshëm, Llalla.
Shkak për shtyrjen e vendimit është bërë kërkesa e avokatit, i cili ka pretenduar se ka nevojë për dis a hetime shtesë.
Mbi Llalën rëndon akuza e fshehjes së pasurisë. Bëhet fjalë për banesën që ai ka në afërsi të Qytetit Studenti, të cilën e ka legalizuar në kundërshti me ligjin dhe nuk e ka deklaruar, për këtë arsye ai do të vihet para ligjit.
Mësohet se Llallës i është njoftuar akuza për kryerjen e veprës penale: ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim’, të kryer tre herë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi (2) i Kodit Penal.
Aktualisht Llalla vijon të hetohet për mosdeklarim të ardhurash, ndërsa më herët mbi të rëndonin akuzat për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.



