Ish-kongresmeni Joe DioGuardi e cilëson mandatin e dytë qeverisës të Ramës si një mundësi për zbatimin e reformës aq të nevojshme në drejtësi. Sipas tij nëse Rama nuk do të kishte mbajtur premtimet për katër vjet, nuk do të kishte marrë një mandat të dytë, dhe për më tepër me aq shumë vota aq sa nuk ka nevojë për koalicion. DioGuardi shton më tej se ndoshta shumica e njerëzve e sheh Ramën si alternativën më të mirë krahasuar me qeverisjet paraardhëse, të cilat nuk e donin reformën në drejtësi.
Ish-kongresmeni ka një koment edhe për ish-kryeministrin, Sali Berisha për të cilin thotë se bërë miliarda dollarë me të bijën dhe të birin. Sipas DioGuardit, është e qartë se ish-shefi i ekzekutivit nuk u pasurua nëpërmjet pagës së tij zyrtare në krye të qeverisë.
Më tej, ai shton se do të vëzhgojë nga shumë pranë punën e qeverisë së re dhe të kryeministrit Rama në mënyrë që të sigurohet për mbajtjen premtimet.
“Unë ju siguroj për këtë sepse dua ta shoh Shqipërinë si një shtet që rritet ekonomikisht prej investimeve. Është e nevojshme të krijojmë vende të vërteta pune për shqiptarët në shtetin mëmë dhe mbase ato do të përhapen përtej kufijve te shqiptarët në Maqedoni, Kosovë, Preshevë dhe Malin e Zi. Kjo është ajo çka kemi nevojë dhe shpresoj që kjo do të ndodhë”, përfundoi ish-kongresmeni.
Joe DioGuardi është kreu i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, që ështën jë grup lobimi që përfaqëson shqetësimet e shqitpare në Shtetet e Bashkuara. Ai ka shërbyer si Përfaqësues i distriktit të 20-të të Neë Yorkut në Kongresin Amerikan.



