Analisti Pano Soko mendon që vota e diasporës shqiptare në zgjedhjet e fundit parlamentare është masakruar. Duke folur në Mcn Live Soko tha se kutitë e 11 majit nxorën një inxhinierim perfekt të votës, ku rezultati ishte i trukuar, pasi në vende si Greqia PS fitoi me 95 për qind të votave.
“Ajo që nxorën kutitë e 11 majit ishte një inxhinierim perfekt i votës, me mekanizma, që makrokontrollojnë situatat, dhe që kishin arritur deri aty sa ta qepnin si në rrobaqepësi rezultatin e çdo kutie. Vota e diasporës është masakruar. Kjo është pak, por e sigurt. Specifikisht vota e Greqisë, e cila pati kontestime që pa ardhur.
Të gjithë e dinim rezultatin e Greqisë, sepse kishte të dhëna, dhe faktet e treguan më pas, që s’kishte as afrinë më të vogël me realitetin. S’mund të gjesh në asnjë lloj kampionimi të elektoratit shqiptar, 95 për qind me 5 për qind. Kur ti del nga rezonanca e matematikës me logjikën, e kupton që e gjitha ka qenë një trukim. Do doja shumë ta dija si mendon diaspora, por duhet të ishte vota e lirë”.
Ne kishim 40 për qind të listës nga diaspora. Në Berat gati 80 për qind të listës e kemi patur nga diaspora. Rezultati nuk ndryshoi shumë. Nëse ky do ishte rezultati real, të gjitha opozitat duhet të mbylleshin! Realiteti vërtitej 80 me 20 për qind. Me 20 për qind je masë jo përfaqësuese. Por unë them që ne s’e lexuam dot votën e diasporës".
Soko tha se nuk ka rëndësi se kush do emërohet ministër në kabinetin e ri, pasi për gjithçka vendos vetëm Edi Rama.



