Disa ndryshime në Kodin Penal, të parashikuara në një draft të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, parashikojnë ndëshkime për memet që qytetarët do të postojnë në rrjetet e tyre sociale pa marrë më parë pëlqimin e personit që është në qendër të tyre. Drafti parashikon futjen e këtij veprimi në kategorinë e kundravajtjeve penale dhe dnëshkimin me burg deri në 1 vit. Në nenin 238 thuhet:
Cenimi i imazhit të personit
1. Publikimi në çdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se eshtë i tillë, përbën kundrvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit.
2. Ndjekja penale fillon me ankim të viktimës ose përfaqësuesit ligjor të saj dhe pushon me tërheqjen prej saj.
Një tjetër ndryshim përfshin çështjet e privatësisë. Neni 228 parashikon dënimin me gjobë ose 1 vit burg të kujtdo që publikon materiale që ekspozon materiale që kanë të bëjnë me jetën private të tjetrit.
Neni 228
Ndërhyrje të padrejta në jetën private
1. Cilido që për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, pa autorizim fotografon, filmon, regjistron me video apo audio këtë person në banesën e tij personale ose në ndonjë vend tjetër ku personi gëzon ligjërisht privatësi, apo vendos aparatura që shërbejnë për fotografim, transmetim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, i të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit, pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim nga deri ne 1 vit.
2. Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër i të dhënave të marra në mënyrën dhe qellimin e përcaktuar në paragrafin e parë të këtij neni, dënohet me burgim nga 2 deri në 3 vjet.
Interesimit të TvT në lidhje me këto ndryshime, Ministria e Drejtësisë iu përgjigj se ky nuk është drafti final. “Ajo që ka dalë është një dokument i grupit të punës, por ende po punohet me variantin që do të shkojë në qeveri”, thuhet në reagim.
Ndërsa Arben Rakipi, i cili kryeson grupin e punës për ndryshimet nē Kodin Penal, i kontaktuar nga TvT, nuk pranoi të prononcohet, duke shtuar se përgjigje për këtë jep vetëm Ministria e Drejtësisë.
Ndërkohë, kjo e fundit, në një reagim të dytë pērsërit se drafti nuk është përfundimtar.
"Në lidhje me kërkesat e vazhdueshme të ardhura nga gazetarët në lidhje me draftin final të Kodit të Ri Penal, duam t'ju sqarojmë se materialet që po qarkullojnë në media janë ende një dokument pune, nga grupi i ekspertëve, propozime këto të cilat janë zbardhur si pjesë e diskutimeve në seancat e konsultimit publik. Sqarojmë se dokumenti që po qarkullon nuk është draft final, pasi po punohet në vazhdimësi. Ministria e Drejtësisë ka përmbyllur procesin e konsultimit publik dhe tani ekspertët dhe praktikantët e ligjit të grupit të punës do të finalizojnë projektligjin, i cili pasi të konsultohet teknikisht, do të depozitohet në Këshillin e Ministrave", thuhet në reagim.



