Bota ka shënuar një rekord të ri të rasteve ditore me koronavirus. Në 24 orët e fundit, numri i të infektuarve rishtas në botë i ka tejkaluar 338 mijë, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i pandemisë. Shifrat konfirmohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Evropa, për herë të parë tejkalon 100 000 raste pozitive në një ditë
Edhe Evropa i ka tejkaluar 100 000 raste ditore të Covid-19 për herë të parë. Epiqendra e shpërthimit është zhvendosur në Britaninë e Madhe, Rusi, Spanjë dhe Francë, të cilat kanë raportuar secila mbi 10 000 raste në tre ditët e fundit. Rusia sot raportoi rekordin e rasteve të përditshme të koronavirusit që nga maji. Mbretëria e Bashkuar ka një normë alarmante vdekjeje prej 7%, ndër më të lartat në botë. Më shumë se gjashtë në 10 000 njerëz kanë vdekur nga virusi në vend. Në Evropë, ka mbi 16% të rasteve globale të koronavirusit dhe gati 22% të vdekjeve në të gjithë botën.
Moska drejt mbylljes së bareve dhe klubeve të natës
Një ditë tjetër e keqe për Rusinë dhe kryeqytetin e saj, epiqendra e Covid. Shifrat po rriten dhe shtrimet në spital gjithashtu. Autoritetet e Moskës po planifikojnë të mbyllin baret dhe klubet e natës për të ndaluar valën e dytë. Të premten kishte më shumë raste sesa në fillim të pandemisë: mbi 12 000 të tillë.
Gjendje e jashtëzakonshme në rajonin e Madridit
Gjendja e jashtëzakonshme në dhe rreth kryeqytetit spanjoll është miratuar nga qeveria, në mënyrë që të vendosen kufizime më të rrepta kundër Covid-19. Të enjten në mbrëmje, kryeministri spanjoll i dha një ultimatum guvernatores së Komunitetit Autonom të Madridit, Isabel Diaz Ayuso, kundër masave shtrënguese të vendosura nga qeveria dhe bllokuar më pas nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë e Madridit. Sanchez i tha Ayuso-s se nëse ai nuk shtrëngonte shpejt masat ose nuk i bënte një kërkesë zyrtare qeverisë kombëtare për gjendjen e jashtëzakonshme, atëherë ekzekutivi kombëtar do ta deklaronte atë menjëherë.



