Në një takim me shefat e shërbimit në QSUT, kryeministri Edi Rama tha se është legjitim mllefi i njerëzve ndaj grupit kriminal të mjekëve, që u zbuluan në skandalin e Onkologjikut. Rama e vuri theksin te forcimi i sistemit dhe te autonomia spitalore, ku mjekët të shpërblehen në bazë të performancës. Ai shtoi se do të merret një grup menaxherësh të huaj për të asistuar nga afër drejtuesit e QSUT, për hapjen e kapitullit të autonomisë spitalore. Po ashtu ai u bëri thirrje gjykatësve që të mos lejojnë relativizimin dhe banalizimin e veprimtarisë kriminale të mjekëve nën hetim.

"Nuk kanë si të shpëtojnë autoritetet shtetërore nga shigjetat e mllefit që është krejt legjitim i njerëzve, nga abuzimi kriminal i disa bluzave të bardha të Onkologjikut. E mirëkuptueshme në dhimbjen e vet edhe klithma për pushkatim, që shfaqej tek tuk në rrjetet sociale, pavarësisht se lavdi Zotit nuk jetojmë në kohën e pushkatimeve. Normale që në këtë dhimbje krejt njerëzore për viktimat e abuzimit monstruoz, edhe kërkesa e përsëritur në komente për dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë. Por çka më takon mua dhe gjithë atyre, që janë edhe këtu një pjesë e madhe, sipas shkallës së përgjegjësisë, dhe që kanë një rol institucional për të luajtur në mbarëvajtjen e punës dhe ecurinë e reformave, është adresimi sistemik i problematikave. Detyrimet duhet të garantohen jo vetëm nga ndërgjegjia e individëve, por edhe forcimi i vazhdueshëm i sistemit. Drejtësia e bëri punën e vet, dhe kjo është e mira e vetme e asaj të keqeje tronditëse që doli në pah me atë shëmtinë e tmerrshme, gjë për të cilët përgëzoj prokurorët, dhe u bëj thirrje gjykatësve që mos lejojnë që relativizimi dhe banalizimi i asaj veprimtarie kriminale, siç fatkeqësisht ka ndodhur jo një herë në të kaluarën, kur gjyqtarë të caktuar kanë ngrenë turpin me ryshfet dhe kanë nxjerrë të lirë edhe vrasës. Ne do vazhdojmë punën tonë. Ndryshimet e propozuara nga grupi i punës në MSH, janë hapa të duhur në drejtimin e duhur. Historia e shefave të departamenteve dhe drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë edhe sistemit publik, dhe kanë në pronë apo janë në punë edhe në sistemin privat, është një histori që e dimë shumë mirë nga vjen, vjen nga vet historia e kalimit nga një sistem shëndetësor i centralizuar, te një sistem ku hyri në mes kapitalizmi dhe mungesa e çdo kapaciteti për të ndërtuar një sistem autonomie spitalore, që u garanton të gjithë mjekëve profesionistë që të shpërblehen përtej tavaneve të pagave në bazë të performancës. Ne do të marrim grup menaxherësh të huaj për të asistuar nga afërt drejtuesit e spitaleve të kësaj qendre që të garantojmë hapjen e kapitullit të shumë pritur të autonomisë spitalore, që kjo qendër do duhet ta ketë dhe që kësaj qendre do duhet t’i japë fleksibilitetin për t’i shpërblyer profesionistët sipas meritës”.



