Gazetari Xhevair Zhabina, në studion e lajameve në ‘MCN TV’ ka komentuar situatën alarmante të mbetjeve të industrisë së rëndë në Elbasan dhe hapat e fundit të ndërmarrë nga organi i akuzës.
Ai e ka konsideruar hetimin e Prokurorisë së Elbasanit si të vonuar, duke theksuar se krimi mjedisor ka qenë publik prej vitesh, ndërsa kërkoi që përgjegjësia penale të shtrihet përtej kompanisë private, duke përfshirë edhe institucionet shtetërore.
Zhabina vuri në dukje rrezikun e madh që u kanoset qytetarëve nga këto mbetje, si dhe plogështinë e treguar ndër vite nga institucionet e drejtësisë lokale.
Sigurisht që nga mënyra se si është bërë raporti i agjencisë së mjedisit bëhet fjalë për diçka të rrezikshme për qytetarët e Elbasanit, pasi bëhet fjalë për mbetje të industrisë së rëndë dhe duke qenë se janë mbetje të akumuluara ndër vite aty, të mbajtura aty në mënyrë të paligjshme. Sigurisht që ky hetim për mua është i vonuar, se gjithmonë pritet një raport që përpilohet nga një tjetër institucion kur krimi mjedisor ka qenë gjithmonë aty, pasi mediat e kanë raportuar ndër vite këtë problematikë duke e bërë publike këtë situatë dhe prokuroria e Elbasanit nuk ka lëvizur siç duhet dhe s'ka pasur një vendimmarrje.
Duket sikur këtë herë prokuroria e Elbasanit e ka seriozisht dhe shumë mirë që është kështu dhe duhet t'i shkohet deri në fund që përgjegjësia të mos mbetet vetëm te kompania, por duhet të shkojë dhe te institucionet se është një situatë ndër vite. Kompania patjetër që duhet të hetohet, por duhet të shkojë në nivel vendimmarrje dhe institucioneve që i kemi lënë në dorë mjedisin, qoftë atyre lokale, por dhe institucione të tjera në varësi të Ministrisë së Mjedisit. Duhet hetuar i gjithë zinxhiri i institucioneve dhe kompania private që ka vijuar ndër vite punën. Duhet të ketë një hetim ezaurues dhe nëse kemi tre prokurorë në këtë çështje, kam përshtypjen se është një grup hetimor i mirë.
AKM, që është institucion i rëndësishëm, e ka cilësuar shumë të rrezikshme atë që po ndodh te Albchromi. Kemi parë që nuk ka shkuar deri aty ku duhet hetimi i prokurorisë kur vjen puna te koha se kur dalin nga vëmendja mediatike, këto hetime përgjithësisht sfumohen. Prokuroria e ka pasur të vështirë të hetojë këto kompani, por ky hetim mund të shkojë te të gjithë institucionet e përfshira që kanë kompetencën për mjedisin. Nëse hetohet siç duhet mund të gjendet vepra penale. Jemi përballë kësaj situate, ta shohim, por duhet hetim i shpejtë se nëse del nga trajtimi mediatik besoj do mbyllet si shumë histori të tjera.



