Aktivisti i “Qëndresa Qytetare” Kolindo Vjerdha foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi kërkesën e të rinjve për mensa dhe shërbime, pas mbajtjes së Kongresit të dytë Studentor. Vjerdha thekson se universitetet nuk kanë cilësi dhe s’kanë kushtet minimale të akomodimit, ndërkohë që tarifat janë shumë më të larta se në Kosovë. Ai bën me dije se kërkesa për mensa publike ka ngecur në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ndonëse është nevojë emergjente, pasi kostot e studentëve janë tepër të larta.
Punimet e Kongresit po vazhdojnë, problematikat kryesore lidhen me cilësinë e mësimëdhënies, kostot e studentëve, akomodimi në konvikte, por mbi të gjitha mensat studentore. Që nga viti i kaluar janë mbledhur mbi 6000 firma të studentëve dhe qytetarëve. Janë dorëzuar pranë këshillit bashkiak, por e gjitha ka ngecur në këtë proces, ku tani është topi në anën e bashkisë, që duhet ta shqyrtojë si nevojë emergjence. Me jo më shumë se 35 euro në muaj studentët akomodohen në Kosovë dhe kanë dy vakte në mensë. Qiratë tonë janë të papërballueshme për studentët. Mund të jenë 450 euro në muaj, duke përfshirë koston totale edhe të ushqyerjes. Po flasim për studentë, që duhet të fokusohen te marrja e dijes, dhe jo te sigurimi i fondeve për të siguruar jetesën në kryeqytet, ku çmimet janë rritur. Studentët mundohen t’i shmangen konvikteve. Sot konviktet s’kanë cilësi dhe kushtet minimale që u duhen studentëve për t’u akodomoduar në to. Kemi rikonstruksion të një pjese të Qytetit Studenti. Mungojnë kushtet bazike që lidhen me akomodimin dhe sigurinë e atyre që zgjedhin të qëndrojnë në Qytetin Studenti. Me 20 euro në Kosovë akomodohesh në konvikte, ndërsa në Shqipëri duhet të paguash 4 mijë lekë të reja në muaj”.
Duke folur mbi mënyrën se si i shpenzojnë fondet universitetet dhe korrupsionin, Vjerdha tha:
Fondet që vijnë nga tarifat e studenteve shpenzohen për orendi zyre, për rikonstruksion të sallave që janë në kushte të mira, nuk shkojnë në laboratorë, në salla, auditorë. Vetëm 0,2 për qind shkojnë për kërkimin shkencor. Kemi universitete si Shkodra që s’kanë investuar asnjë lekë për libra dhe kërkime shkencor, kemi Universitetin e Mjekësisë që s’ka investuar asnjë lekë për kërkimin shkencor. UT shpenzon 160 mijë euro për letra A4 dhe bojëra printi! Është për të ardhur keq në çfarë kushtesh jemi sot. Të shpenzojë UT për arë e argjend, kur studentët e IT s’kanë laboratorë, por i shkruajnë ato në letër!”
Lidhur me përballjen në gjykatë me Universitetin e Tiranës, për mungesën e transparencës së këtij të fundit, aktivisti sqaron:
Në kuadër të transparencës dhe monitorimit, u kemi çuar kërkesa të gjithë universiteteve në lidhje me kontratat me palët e treta. UT e ka cilësuar dhënien e kontratave si sekret tregtar dhe s’na i ka vendosur në dispozicion. Kemi ndjekur një proces gjyqësor. Për t’i dhënë edhe një mesazh të gjitha universiteteve në vend, që ato duhet të jenë të parat të interesuara sa i përket transparencës së fondeve”.



