
Sali Berisha dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit janë mbledhur mbrëmjen e sotme në selinë e Partisë Demokratike.
Në mbledhjen e mbrëmjes së kësaj të premteje, siç mund të shihni në fotografi, Berisha ka thirrur mbështetësit e vetë në sallën ku zhvillohen mbledhjet e grupit parlamentar demokrat.
I pozicionuar në vendin e kryetarit, Berisha shihet i rrethuar nga Edi Paloka, Albana Vokshi, Gent Stazimiri, Klevis Balliu, Edmond Spaho, Eno Bozdo, Çlirim Gjata, Keltis Kruja, Mimoza Hajdarmataj, Luan Baçi etj.
Duke folur pas mbledhjes, Berisha foli për ecjen përpara të Partisë Demokratike.
Dyert e blinduara do të hiqen. Është një proces vendimmarrjesh në të gjitha nivelet. Edhe sot janë marrë vendime për organizimin, vendime që janë për Partinë Demokratike. Unë dua të shoh përpara. Mos më ktheni mbrapa.
Kjo mbledhje vjen pasi pasditen e sotme Berisha zhvilloi një takim me kreun e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, njëherësh kryetar i komanduar i partisë.
Në konferencën pas takimit, Berisha i mëshoi idesë së bashkimit të demokratëve, sipas parimit të votës së lirë.
Ditën e sotme Gjykata e Tiranës njohu ditën e sotme ndryshimet e bëra në statutin e PD nga Komisioni i Rithemelimit, në Kuvendin e 11 dhjetorit.
Nga ana e tij Enkelejd Alibeaj tha se vendimi i gjykatës është ilegjitim dhe se do të ankimohet, teksa deklaroi se PD nuk mund të ecë përpara sipas frymës komuniste dhe me njerëz "non grata".



