
BE është shprehur kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për lirimin nga detyra të anëtarëve të Ekipit Menaxhues për draftstatutin e Asociacionit të komunave serbe.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se marrëveshjet e dialogut thonë qartë se Ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit. Sipas Stanos vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel frymën e marrëveshjeve të dialogut.
“Prandaj, vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me Ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano.
Kujtojmë që dje ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi lirimin nga detyra e anëtarët e Ekipit menaxhues pas prezantimit të draftitstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të martën.
Kurti e ka konsideruar draftstatutin e prezantuar nga Ekipi menaxhues si një dëshirë për një “Republika Sërpska të re”.



