Legjendat amerikane të metalit të rëndë, Metallica, janë detyruar të shtyjnë koncertin e tyre të 3 shtatorit në Phoenix, pasi njoftuan se këngëtari James Hetfield ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
“Na vjen shumë keq të raportojmë se data e planifikuar e M72 në State Farm Stadium është shtyrë për të Shtunën, 9 Shtator 2023, pasi, për fat të keq, Covid ka kapur James,” tha grupi në një deklaratë të shpërndarë në llogarinë X, faqja e njohur më parë si Twitter.
“Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer dhe na vjen keq për çdo shqetësim që ju ka shkaktuar. Mezi presim të kthehemi për të përfunduar M72 No Repeat Weekend në Glendale të shtunën e ardhshme,” shtoi grupi.
Shfaqja, e planifikuar fillimisht për të dielën, do të ishte e fundit nga dy në Glendale, Arizona. Aktualisht grupi është në turneun e tij M72 në SHBA dhe luan dy koncerte në çdo qytet. Biletat për shfaqjen e 3 shtatorit "do të ndërrohen më 9 shtator", tha grupi.
Rastet e Covid-19 kanë qenë në rritje në SHBA këtë verë. Në nivel kombëtar, varianti i ri EG.5 , një spinoff i llojit rikombinant XBB të familjes Omicron, po nxit shumicën e infeksioneve të reja, sipas vlerësimeve të fundit nga Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.



