Prej 24 ditësh, në vend po vijon një protestë e drejtuar nga grupe të rinjsh dhe studentësh, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Lëvizja, e cila sipas pjesëmarrësve po zgjerohet gradualisht, është komentuar edhe nga juristi Spartak Ngjela, në “MCN Live”, i cili e ka cilësuar atë si një reagim rinor me karakter më shumë shoqëror sesa politik.
Sipas Ngjelës, protesta nuk përbën një sfidë të drejtpërdrejtë pushteti, por një shprehje të pakënaqësisë dhe kërkimit të identitetit nga të rinjtë shqiptarë.
Është një protestë normale. Specifika e vetme është se janë të rinj. Është një konflikt i brendshëm i rinisë shqiptare, janë të pakënaqur dhe po shohim sa do të arrijë masa e rritjes së saj.
Ai shtoi se, sipas tij, qeveria aktuale nuk po e trajton me seriozitet analizën e këtij fenomeni shoqëror.
Qeveria shqiptare nuk di të bëjë analizë. Ajo ishte një protestë me numër të madh në rastin e fundit, por duhet të dimë se këto janë protesta paqësore që nuk e shqetësojnë qeverinë nëse nuk marrin përmasa të mëdha. Nuk janë lëvizje force, por forcën duan ta paraqesin përmes numrit të tyre.
Duke u ndalur te natyra e protestuesve, ai theksoi se bëhet fjalë për një brez që, sipas tij, është në kërkim të identitetit dhe reagimit ndaj realitetit shoqëror.
Rinia studentore ka një intuitë më të shpejtë se të tjerët, sepse është ende në kërkim të identitetit të vet. Është ky identitet që i shtyn në këto lëvizje. Janë në një kohë të re dhe nuk i kuptojnë dot plotësisht mekanizmat.
Ngjela theksoi gjithashtu se këto lëvizje nuk kanë, sipas tij, karakter pushteti, por synim progresi shoqëror.
Nuk është lëvizje për pushtete, por për progres. Por asnjë qeveri nuk shqetësohet nga lëvizje për progres. Mbetet për t’u parë si do të vijojë shtimi i numrit të tyre. Me këtë numër që kam parë deri tani, Rama nuk shqetësohet.
Në përfundim, ai vuri në dukje se kërkesat e protestuesve nuk lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin e dy partive kryesore politike, duke i konsideruar si një shprehje më të gjerë shoqërore sesa politike.



