
Një shpërthim i ndodhur dje në Port Authority, stacioni qendror i autobusëve në Nju Jork, shkaktoi panik në të gjithë zonën. Katër persona mbetën të plagosur. Mes tyre është edhe atentatori, i cili u arrestua nga policia.
Ai është 27 vjeç dhe quhet Akayed Ullah.
Policia njujorkeze i ka përqendruar hetimet në pistën e terrorizmit. “Ishte një tentativë për sulm terrorist”, ka thënë në një prononcim për mediat kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill De Blasio.
Autori i sulmit është një ish-taksist nga Bangladeshi, që jeton në Bruklin, në SHBA prej 7 vitesh. Ai u ka thënë hetuesve se sulmi është një hakmarrje ndaj Izraelit për veprimet ndaj popullsisë në Gaza, bën të ditur CNN.
Sipas hetuesve, bomba artizanale ka shpërthyer pjesërisht në mënyrë aksidentale.
Linjat e metrove A, C dhe E në Nju Jork u evakuuan dje. Zona ku ndodhi shpërthimi është stacioni më i madh i autobusëve në SHBA. Aty çdo ditë kalojnë të paktën 230 mijë udhëtarë. / ANSA /



