Gjermania i është bashkuar thirrjeve që lideri i opozitës rus i burgosur, Alexei Navalny të marrë trajtimin e duhur mjekësor mes shqetësimeve në rritje për shëndetin e tij.
Më parë, rreth 500 mjekë rusë nënshkruan një letër të hapur drejtuar presidentit Vladimir Putin, duke kërkuar që autoritetet e burgut të ndalojnë "abuzimin" me Navalny.
Avokati i Navalny tha se ai ishte vizituar nga një mjek, por ende nuk po merrte ilaçet që i nevojiteshin. Navalny tha se zyrtarët e burgut po i mohonin mjekimet bazë.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se Navalny "ka nevojë urgjente për ndihmë mjekësore siç kanë theksuar shumë mjekë rusë. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve ruse që ta ofrojnë këtë menjëherë dhe plotësisht”.
Avokati i Navalny, Vadim Kobzev, thotë se aktivisti kundër korrupsionit ka vuajtur nga të ethet, kolla e rëndë dhe temperaturë të ulët në një qeli izolimi.
Berlini kërkoi gjithashtu lirimin e Navalny, duke thënë se burgimi i tij bazohej në një "vendim të motivuar politikisht".
Ai ka kaluar dy vjet në burg, shpesh në izolim. Ai u arrestua në janar 2021 pas kthimit nga Gjermania, ku ishte trajtuar për një sulm me agjent nervor në Siberi.
Në letrën e hapur, mjekët shprehën "shqetësime të mëdha për jetën dhe shëndetin" e Navalny dhe thanë se refuzimi i shërbimit të burgut të Rusisë për të siguruar ilaçet e nevojshme "po kërcënon drejtpërdrejt" jetën e tij.
Ata kërkuan që autoritetet të ndalonin dërgimin e tij në izolim dhe që mjekët civilë të lejoheshin ta shihnin atë. "Ne kërkojmë t'i jepet fund abuzimit të Alexei Navalny," thuhej në letër.
Vadim Kobzev tha se letra dukej se kishte një ndikim, pasi Navalny-t iu dhanë antibiotikë dhe gjendja e tij dukej se nuk po përkeqësohej të enjten.
Të premten, Kobzev tha se kreu i një spitali të tuberkulozit i kishte bërë Navalny një kontroll mjekësor - por ai shtoi se Navalny nuk kishte marrë ende ilaçet që i nevojiteshin.
Navalny ka akuzuar autoritetet e burgut për përdorimin e një shoku të tij të burgosur si armë biologjike për ta infektuar atë me grip. Ai tha se u transferua në një qeli dënimi më 31 dhjetor për të dhjetën herë që nga burgimi i tij.
Navalny po mbahet në një koloni penale më shumë se 250 km (150 milje) në lindje të Moskës. 46-vjeçari ka qenë prej kohësh fytyra më e spikatur e opozitës ruse ndaj Presidentit Putin.



