Një bandë shqiptare që merrrej me trafikun e prostitucionit është goditur nga policia italiane e qytetit të Firences. 10 persona janë arrestuar, mes të cilëve dhe dy femra. Arrestimet janë kryer në Itali, Francë e Shqipëri dhe kanë ardhur si finalizim i një hetimi që ka zgjatur mbi 1 vit e gjysmë nën drejtimin e prokurorit të Firences Leopoldo De Gregorio.
Sipas policisë italiane, në krye të kësaj bande qëndronte një 37-vjeçar shqiptar, i cili organizonte aktivitetin e bandës e kontrollonte biznesin e përfitimeve nga shfrytëzimi i prostitucionit nga një burg në Shqipëri, ku vuan dënimin me akuzën e tentativës së vrasjes.
Vajzat që shfrytëzoheshin nga banda për prostitucion janë të gjitha me origjinë shqiptare e paguheshin nga klientët me 30-100 euro për çdo raport seksual.
Ato e kryenin këtë aktivitet në dy rrugë në periferinë veriore të qytetit të Firences, të cilat ishin “zonë influence” e bandës, pasi çdo prostitutë që nuk ishte nën kontrollin e saj duhej t’u paguante atyre një kuotë të fitimit.



