Progres-raporti 2026 për Shqipërinë ka qenë lajmi kryesor i ditëve të fundit, por vëmendja e publikut u fiksua tërësisht te gjetjet politike të tij për shkak të situatës në vend.
Ndërkaq, kaluan thuajse pa u vënë re konstatimet e Komisionit Evropian për standardet dhe performancën e administratës publike.
Në "MCN Economy", juristi Romeo Kara dhe eksperti i ekonomisë Pano Soko, analizuan problematikat e mprehta që lidhen me tenderat, emërimet dhe korrupsionin në vend.
Romeo Kara:
Progres-raporti ka marrë parasysh në mënyrë bindëse të gjitha konstatimet e KLSH-së (Kontrollit të Lartë të Shtetit) sa i përket korrupsionit dhe tenderave. Për mua, nëse ka një institucion që i ka shpëtuar fytyrën Shqipërisë, është ky auditues që ka bërë shumë auditime dhe ka dhënë shumë rekomandime.
Sa u përket prokurimeve, që të shkohet te një ofertues i vetëm apo të instalohet një 'radar' ku pjesën e tij do ta marrë vetëm ai që ka patentat, këto mund të rrjedhin. Por, të ketë rritje të procedurave me vetëm një operator, do të thotë se kemi deformuar tregun. Plot 29% e tregut janë me oferta të larta dhe prapë mbeten me një ofertues. Mbetet e pashpjegueshme se si 1/4 e tenderave zhvillohen me një ofertues dhe me vlera shumë të larta.
Po ashtu, kemi 38% të procedurave të anuluara. Pse? 38% e tenderave janë anuluar dhe kjo përbën një shqetësim të madh. Kanë ardhur në rritje tenderat pa njoftime sipas ligjit. Kemi përjashtime nga konkurrimi dhe këtu Progres-raporti ka evidentuar portet turistike.
Këtu duhet të ketë përgjegjësi, sepse ka rregulla që përcaktojnë se si rekrutohen njerëzit dhe si pushohen nga puna. Rekrutimet e parregullta duhet të konsiderohen shpërdorim detyre dhe të kthehen në vepër penale. Kemi shkatërruar jetë njerëzish dhe kemi shkatërruar karriera. Progres-raporti ka folur edhe për piramidën e pagave dhe garën. Këto mund të vazhdojnë deri kur populli nuk e kupton, por tani ne i dimë këto, sepse kanë muaj që fliten, dhe qytetarët po reagojnë përmes protestës.
Pano Soko:
Çfarë ndodhi në vitin 2026? Porti turistik ka një specifikë sepse ndërtohet në bregdet. Bregdeti është i të gjithëve, është pronë e publikut dhe nuk ka një pronar tek, ndonëse toka pas bregut të detit mund të ketë pronar. Qeveria deri në atë kohë, për të ndërtuar një port, duhet të hapte një garë sepse po e ndërtonte në pronë publike. Hapej gara, vinin kompanitë dhe koncesionohej aktiviteti, pasi bregu i detit mbetej i joni.
Por në vitin 2026, këta e hoqën këtë rregull dhe dhanë vendimin që kjo s'do të bëhet më me garë, por do të kalohet nga investitori strategjik. Të qenit strategjik e vendos atë përpara disa lehtësirave dhe përveç kësaj i tha: 'Po deshët, ndërtoni dhe një port aty se s'ka problem'. Pra, e hoqi garën që u jepte me koncesion. E para u hoq gara dhe e dyta u fal bregu i detit. Kjo do të thotë se ajo pjesë e bregut të detit aty është e investitorit. Progres-raporti ka kapur vetëm momentin e parë, që tokën tuaj publike po ia falni një privati. E vranë garën duke e hequr fare nga koncesioni dhe duke e falur. Portet turistike s'po jepen më me koncesion, por po privatizohen.
Të gjitha rastet ku dyshohet për devijim nga standardet optimale bëhen duke pasur parasysh një opinion të pastër: sa më shumë devijon nga këto standarde, aq më shumë rritet mundësia për të bërë korrupsion. Pra, në nëntekst ti lexon këto devijanca që bëhen në prokurimet publike. Plot 2.8% klasifikohet si blerje emergjente. Këta kanë gjetur këtë kleçkën si blerje emergjente dhe nuk bëjnë fare njoftim në publik. Të gjitha këto janë tregues se sistemi është i korruptuar. I gjithë sistemi i prokurimit publik është i korruptuar që nga buxhetimi. Hartimi i buxhetit, që aty nis korrupsioni, i mirëmenduar se si do të shkojë deri në fund.



