Disa pjesë të Shteteve të Bashkuara pritet të regjistrojnë temperatura rekorde të dielën, ndërsa me mot të nxehtë pritet të përballen edhe javën e ardhshme. Gati një e treta e amerikanëve, rreth 113 milionë njerëz janë aktualisht të paralajmëruar për rreziqet e motit të nxehtë, që është shtrirë nga Florida dhe Kalifornia e deri në Uashington. Shërbimi Kombëtar i Motit u ka bërë thirrje njerëzve që të mos e nënvlerësojnë rrezikun që mund t’iu shkaktohet. Të shtunën në Feniks të Arizonës temperatura ka arritur në 48 gradë Celsius. Klinikat mobile kanë raportuar se i kanë trajnuar të pastrehët, pasi ata kanë pësuar djegie të shkallës së tretë. Ka parashikime që zona e Kalifornias, një prej vendeve më të nxehta në botë të regjistrojë temperaturë 54 gradë Celsius, shifër që nuk është regjistruar më parë në botë. Përdorimi i kondicionerëve ka shënuar rekord të ri, derisa parqet, muzetë dhe kopshtet zoologjike ose janë mbyllur, ose i kanë shkurtuar oraret e punës. Shkencëtarët besojnë se temperaturat po rriten për shkak të ndryshimeve klimatike dhe si pasojë e fenomenit El Nino, i cili aktivizohet çdo tre deri në shtatë vjet dhe ndikon në rritje të temperaturave.



