Meta kërkoi falje publikisht pasi një përkthim i gabuar i një teksti në gjuhën kannada, një gjuhë që flitet në Indinë jugore, sugjeroi se Siddaramaiah, Kryeministri i shtetit Karnataka, kishte vdekur.
Disa ditë më parë, Siddaramaiah postoi një mesazh ngushëllimi në llogaritë e tij në Facebook dhe Instagram për ndarjen nga jeta të aktores së famshme B Saroja Devi.
Megjithatë, përkthimi automatik i tekstit thoshte se vetë Kryeministri kishte vdekur.
Një përfaqësues i mediave sociale të Zuckerbergut tha për mediat se “platformat e kanë korrigjuar gabimin e shkaktuar nga përkthimi i pasaktë” dhe kërkuan ndjesë për incidentin.
Megjithatë, Meta nuk sqaroi nëse përkthimi në gjuhën kannada do të pezullohet nga platformat e tij derisa problemet të zgjidhen plotësisht.



