Ka zgjatur pak ditë konsensusi i palëve politike për reformën zgjedhore. Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik ditën e sotme, Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i mazhorancës, ka lënë të kuptohet se strukturimi dhe zgjedhja e antarëve të KQZ-së si dhe procedurat e tenderimit për identifikimin biometrik janë dy pikat ku palët nuk takohen. Sipas Gjiknurit PD ka kërkuar mandat 4-vjeçar për antarët e KQZ-së, siç është edhe aktualisht. Në këto kushte sipas përfaqësuesit të mazhoranës në tryezën për reformën zgjedhore është e kotë të bisedohet për këtë çështje.
"Të krijojmë një trup KQZ të qëndrueshme duke reflektuar dhe kërkesat e opozitës edhe anëtarë me mandate shumë të gjata se sa janë sot. PD duket se ka kërkuar vetëm një marrëveshje zgjedhore për të marrë disa garanci për identifikimin biometrik në zgjedhje ndërsa është më e ndershme të mbajmë KQZ ashtu siç është. Ky ishte një devijim i paparashikuar i takimit dhe duhet të reflektojnë. Ata kërkojnë mandate 4 vjeçare siç janë sot dhe duan të kthehen te KQZ aktuale, është më e ndershme të mbajmë atë që kemi nuk kemi pse bëjmë gjithë këtë debat. Mazhoranca ka qenë komode edhe me kodin aktual. Nuk di që në kodin zgjedhor të shkruhen procedura tenderimi dhe PD kërkon këtë gjë. Ne i dhamë nënkomisionerin me të drejta si komisioneri, por besoj se nuk është normale që një ligj zgjedhor të përfshihet me procedura tenderimi,"- tha Gjiknuri.
Ndërkohë përfaqësuesi i opozitës jashtëparlamentare Oert Bylykbashi tha se propozimet janë në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit, por sipas tij me refuzimin mazhoranca tregon se është kundër çdo lloj propozimi sepse i intereson kapja e KQZ-së.
“Dua të konfirmoj në emër të opozitës, i qëndrojmë pikë për pikë të dokumentit të datës 5 qershor, në lidhje me identifikimit biometrik dhe respektojmë edhe dakordësinë për KQZ-në, për një formulë të re. Ne kemi bërë propozim sot për një formulë të përzgjedhjes dhe emërimit të tre trupave të KQZ-së, npërmjet një formule siç është ajo e sistemit të drejtësisë.
Një formulë që garanton një shqyrtim të pavarur të figurave me standarde të integritetit më të lartë profesional. Kjo formulë u kundërshtua nga mazhoranca pa asnjë arsyetim, sepse i intereson kapja e plotë e KQZ-së në të tria organet. PS do të jetë në mazhorancë në këto organe. Sot mazhoranca e bëri të qartë që refuzon çdo lloj propozimi. I dhamë kohë mazhorancës ta studiojë propozimin tonë, një propozim që garanton një proces neutral por i heq mundësinë mazhorancës që të përfitojë nga ky proces. Jemi në pritje të përgjigje të mazhorancës,”-deklaroi Bylykbashi.



