Gazetari Arsen Rusta dha në MCN Live detaje në lidhje me thirrjen në SPAK të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i cili qëndroi për afro 5 orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Rusta tha se fakti që kallëzuesi mund të mos ekzistojë si person fizik, sikurse pretendon Veliaj, nuk e pengon SPAK-un të kryejë hetimet. Po ashtu Rusta citoi deklarata të gazetarëve apo opinionistëve në media, të cilët e lidhin kallëzimin me një dorë të brendshme në PS, që ka si qëllim anatemimin e kryebashkiakut.

“Veliaj qëndroi në SPAK për afro 5 orë. Ai zgjodhi të flasë nga ambientet e Këshillit Bashkiak. Tashmë e kemi një përgjigje, kallëzimi penal për të cilin SPAK ka regjistruar hetim për Veliajn dhe familjarët e tij, rezulton sipas deklarimit të Veliajt, është një kallëzues me emrin Nesti Angoni. Por a është qytetar real, qytetar fizik? Sipas SPAK ka fakte që kanë shërbyer për inicimin e këtij hetimi. Ndërsa Veliaj e ka quajtur person anonim, dhe një praktikë linçuese ndaj kundërshtarëve politikë, duke anatemuar opozitën. Ndërsa nuk kanë munguar reagimet e opinionit publik, mediave, gazetarëve, se mund të jetë një dorë e brendshme në PS për të anatemuar Veliajn. Ekzistenca apo jo fizike e Nesti Angonit s’e pengon prokurorinë që të hetojë. Pas z.Veliaj do jenë familjarët e tij që do pyeten, mamaja dhe vëllai i tij. Ditën e djeshme z.Veliaj ka qenë në cilësinë e deklaruesit dhe personit në dijeni të rrethanave të hetimit. Nëse do pyetet si njeri nën hetim, do të duhet të ketë një avokat. Kjo është faza e parafundit e veprimeve proceduriale, për të kuptuar a ka apo përgjegjësi penale”.
Lidhur me thirrjen në SPAK të ish-deputetit Belind Këlliçi, Rusta tha:
“Ndaj Këlliçit ka një kallëzues penal. Kallëzuesi është avokati Idajet Beqiri, duke pretenduar se ai ka falsifikuar formularin e vetdeklarimit lidhur me shkollën dhe të dhënat e pasurisë. Mcn Live ka mësuar se Këlliçi është përgjigjur që jo vetëm e kam përfunduar shkollën, por mund t’u vë në dispozicion listën e notave të gjimnazit në Shqipëri dhe universitetin në SHBA”.



