
Institucionet e BE janë në dijeni që Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kjo u konfirmua përmes një deklarate nga Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Megjithatë, Stano nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.
“Diskutimet për nënshkrimin e marrëveshjeve janë krejtësisht të kota dhe të parëndësishme. Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi i marrëveshjeve do të reflektohet në rrugëtimin e tyre [të Kosovës dhe Serbisë] evropian”, tha Stano.



