Situata ushtarake dhe politike në gadishullin Korean dhe në rajon ka arritur një vijë të kuqe ekstreme. Prandaj nuk do të ketë dialog.
Koreja e Veriut drejton gishtin dhe kërcënon me hakmarrje për “manovrat e pamatura ushtarake dhe aktet armiqësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe forcave të saj vasale”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, gjatë vizitës së tij në Korenë e Jugut të martën, siguroi të zgjerojë manovrat ushtarake dhe të vendosë më shumë “burime strategjike” kundër kërcënimeve nga Veriu në përputhje me “parandalimin e zgjeruar” të rënë dakord me Seulin, duke rikonfirmuar gjithashtu angazhimin e SHBA-së për të kundërshtuar zhvillimin e armëve të Koresë së Veriut dhe për të parandaluar një luftë të mundshme.
Të mërkurën SHBA dhe Koreja e Jugut kryen një stërvitje të përbashkët ajrore me bombardues të rëndë amerikanë B-1B dhe avionë luftarakë F-22, si dhe avionë F-35 nga të dy vendet, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Seulit.
Avionët fluturuan mbi Detin e Verdhë i cili ndodhet midis Kinës dhe Gadishullit Korean, në stërvitjet e para të këtij lloji këtë vit. Për Korenë e Veriut ky shihet si një shembull, i “skenarit të rrezikshëm të SHBA-së që përkthehet në transformimin e gadishullit Korean në një arsenal të madh lufte”, për të cilin Pheniani do t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë çdo lëvizjeje ushtarake me kundërstrategji të forta, përfshirë ato bërthamore më shumë dërrmuese nëse është e nevojshme.
Tensionet ushtarake në gadishullin Korean u përshkallëzuan ndjeshëm në vitin 2022 pasi Koreja e Veriut kreu një numër rekord testesh të armëve, duke përfshirë lëshimin e raketës ICBM më të avancuar.
Çdo stërvitje e përbashkët ushtarake SHBA-Kore e Jugut e zemëron Phenianin, i cili i sheh si një provë maskimi për një pushtim dhe shpesh është përgjigjur me kërcënime dhe ushtrimet e veta.



