Ish-shefi i shtabit të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku, shpreh dhimbje për atë që po ndodh në Ukrainë, për shkak se po goditet edhe popullsia civile.
Duke folur për MCN Live, Kollçaku tha se Putin e sheh që e ka të humbur betejën dhe po përdor çdo mjet.
I pyetur lidhur me përdorimin e raketave barike, tha se është shumë e vështirë të konfirmohet në këto momente, por deklaroi se minimalisht janë përdorur raketat Grad.
“Është përdorur sistem raketor me shumë gryka, duke hedhur shumë armatim dhe municion në njësinë e kohës. Ndërtesa të tëra janë rrafshuar, ka zëra se kanë ardhur sisteme raketore me armë me vakum, të cilat janë një hap larg armatimit bërthamor. Shikojmë një President që është jashtë mendimit racional. Agresioni ndaj Ukrainës ishte humbja e logjikës. Putin është i izoluar, në një cep dhe ka nxjerrë kthetrat dhe është bërë shumë i rrezikshëm. Sjellja e tij është e pagjykuar dhe e pamenduar. Është bërë shumë i rrezikshëm! Kolona e gjatë e rusëve, me tanke dhe artileri të rëndë, po i drejtohet Kievit, por edhe sikur ushtria ruse të arrij të pushtojë Kievin, apo Kharkivin, do e ketë të vështirë ta mbajë. Do i duhen 2 milionë forca për ta mbajtur pushtimin, nuk ka shans për Putinin që ta mbajë pushtuar”, u shpreh Kollçaku.
Ai shtoi se nuk e beson Bjellorusinë si negociatore, pasi tha se Lukashenko dhe Putin janë një dhe se kërcënimi për përdorimin e armëve bërthamore, duhet marrë seriozisht.
Sipas tij, rajoni i Ballkanit, edhe pse ka problematika, nuk mendon se do të ketë përshkallëzim të situatës.
Në vijim tha se është e sigurtë që Shqipëria e ka luajtur më së miri rolin e saj, jo vetëm me rezolutat në Këshillin e Sigurimit, por edhe pjesa ushtarake, ku nënvizoi se Forcat tona të Armatosura jo vetëm janë në gatishmëri, por po i përgjigjen me vepra NATO-s, me kontigjente.
“Në të ardhmen ne duhet të mendojmë se kjo luftë ka thyer shumë tabu dhe rregulla ndërkombëtare, duhet të rishohim planin tonë të mbrojtjes, aleancat dhe strategjitë. Bundestagu gjerman dyfishoi kapacitetet për mbrojtjen. Liria nuk është pa çmim, ndaj ne duhet të jemi gati që të fuqizojmë kapacitetet tona, bashkë me Kosovën. Aktualisht kemi kapacitetet që na duhen, që na kërkon aleanca. Nëndetëset dhe avionët nuk na i kërkon aleanca, ushtarakët tanë i kemi gati dhe të armatosur”, deklaroi ish-shefi i shtabit të FA.
Kollçaku deklaroi se Shqipëria projekton siguri jo vetëm brenda vendit por dhe në rajon, Kosova dhe ne jemi një, por edhe Mali i Zi dhe Maqedonia, janë të rreshtuara si asnjëherë tjetër.



