
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka planifikuar që në datën 6 dhe 7 Korrik të takohet me katër homologët e Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjës e Malit të Zi si dhe Presidentin e Serbisë. Fillimisht Rama turin do ta nisë nga Shkupi dhe pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevskin do të udhëtojë drejt Prishtinës ku do të takohet me Albin Kurtin. Rama dhe Kurti do të takohen rreth orës 16:00 dhe më pas pritet të ketë dhe një komunikim me mediat. Ky është i pari takim pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive dhe rritjes së tensioneve në veriun e vendit. Kryeministri dhe stafi i tij kanë vendosur të qëndrojnë natën e 6 Korrikut në Prishtinë dhe më pas mëngjesin e 7 korrikut do të udhëtojnë drejt Sarajevës ku do të ketë takim me Borjana Kriston, kryesuesen e Këshillit të Ministrave, e më pas do të fluturojë drejt Podgoricës ku do të takojë Kryeministrin në detyrë, Dritan Abazoviç. I fundit do të jetë Beogradi, ku Kryeministri do të pritet në një takim nga Aleksandër Vuçiç. Ky do të jetë takimi i parë pas komunikimeve që Rama ka pasur me të dhe autoritetet serbe për lirimin e tre efektivëve të Policisë së Kosovës të arrestuar nga strukturat policore serbe. Nga këto takime, më të vështirat për Kryeministrin e Shqipërisë pritet t’i ketë në Prishtinë me Albin Kurtin, dhe në Beograd me Aleksandër Vuçiç, ku nga të dy do të kërkojë të pranojnë planin Franko-Gjerman dhe të ulin menjëherë tensionet për të mirën e tyre dhe të rajonit.



