Elda Tanushi, nusja 19-vjeçare që tentoi të helmonte vjehrrën e saj, ka rrëfyer para policisë arsyet që e shtynë të kryente këtë akt. Ajo ka shfaqur pendesë pasi i është komunikuar akuza e tentativës së vrasjes me paramendim. Tanushi ka shpërthyer me të qara dhe ka kërkuar falje, por tashmë dosja u ka kaluar për kompetencë Krimeve të Rënda në Tiranë. Siç mësohet, ditën e arrestimit janë paraqitur në komisariat familjarë të saj për ta takuar. Ndërkaq, askush nga familja e të shoqit nuk ka kërkuar ta shohë në qeli.
“Ma nxiu jetën, prandaj doja ta helmoja. Që nga momenti që bashkëshorti u nis drejt Greqisë ku jetonte si emigrant, vjehrra ma bëri jetën skëterrë. Për çdo gjë që ndodhte, fajin ma hidhte mua. Pse kështu, pse ashtu. Unë isha nuse e re dhe doja pak kohë të përshtatesha me njerëzit dhe me shtëpinë. Ajo ishte e paduruar. Kishim zënka nga më të ndryshmet. Filloi të ankohej te burri im, djali i saj, duke e fryrë me gënjeshtra. Na fuste në sherr. Rri në telefon gjithë ditën i thoshte, nuk punon, nuk na dëgjon, bën sipas kokës së saj. Ndërkohë që asgjë nga këto nuk ishte e vërtetë. Arritëm në një pikë që nuk durohej më. Nisa ta urrej me gjithë shpirt, pasi u bë e padurueshme. Kishim në shtëpi një ilaç që e përdornim për insektet. Ndërkohë që përgatita ushqimin, ia hodha në gotën e kosit. Ajo e piu dhe u sëmur. E transportuan në spital, ndërkohë unë u pendova për atë veprim”, mësohet të ketë deklaruar ndër të tjera Elda Tanushi, raporton “Panorama”.



