
Polonia është pezulluar nga Rrjeti Evropian i Këshillave për Sistemin Gjyqësor (ENCJ). Vendimi është marrë të hënën, me argumentin se organi që emëron gjyqtarët në Poloni nuk shihet më si i pavarur nga kontrolli politik.
Këshillit Gjyqësor Polak (KRS) iu hoq kështu e drejta e votimit dhe u përjashtua nga pjesëmarrja në aktivitetet e ENCJ pas parregullsive të konstatuara nga një mision faktmbledhës i organizatës, që bashkon sistemet gjyqësore të vendeve të BE-së.
Në një deklaratë të Rrjetit Europian të Këshillave të Sistemit Gjyqësor thuhet se “rrethanat ekstreme të rastit në fjalë janë bërë shkak për këtë vendim”. “Shtetet anëtare janë të lira ta organizojnë sistemin e tyre të drejtësisë në përputhje me ligjet e tyre, por ka disa standarde minimale që duhen respektuar”.
Ligj dhe Drejtësi, partia e djathtë që qeveris Poloninë, e ka ndryshuar sistemin gjyqësor që prej ardhjes në pushtet në vitin 2015. Shumë gjyqtarë janë larguar nga puna.
Rrjeti Europian i Këshillave të Sistemit Gjyqësor shpreh shqetësim në mënyrë të veçantë për Këshillin Gjyqësor në Poloni (KRS), një organ që supozohet të jetë i pavarur nga politika kur emëron trupat gjyqësore.
Ky organ dominohet nga anëtarë të zgjedhur nga politika, çka ka shtuar shqetësimet se autonomia e sistemit gjyqësore është në rrezik.
Vendimi vjen në një kohë kur Komisioni Europian pritet të marrë në konsideratë një masë kundër Polonisë në lidhje me një ligj që prek Gjykatën e Lartë. Ligji parashikon uljen e moshës së pensionit për gjyqtarët, çka nxjerr jashtë sistemit shumë gjyqtarë, përfshirë edhe kreun e kësaj gjykate. Kritikët në vend thonë se ky ligj është në shkelje të Kushtetutës.
Qeveria i argumenton ndryshimet në ligj me nevojën për të larguar nga sistemi gjyqtarët e lidhur me kohën e komunizmit dhe për t'i bërë gjykatat më efikase. Qeveria polake thotë se Brukseli nuk ka të drejtë të ndërhyjë në sistemet ligjore të vendeve anëtare.
Problemet në sistemin gjyqësor janë shkaku kryesor për të cilin në dhjetor të vitit të kaluar, Komisioni Europian inicioi për herë të parë procedurat e aktivizimit të nentin 7 kundër Polonisë, një proces që teorikisht përfundon me heqjen e të drejtës së votës në Këshillin Europian.



