SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 7 ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë si të përfshirë në dosjen 5D..

Bëhet me dije se nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal janë mbledhur provat dhe është provuar fakti se i pandehuri Redi Molla në cilësinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, si dhe i pandehuri Mariglen Qato në cilësinë e ish-Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a dhe ish-Kryeinspektorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë kanë qenë pronarë “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.
Të pandehurit e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, si ortakë fiktivë në aktet e regjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe miqësore.
Prokuroria e Posaçme në datën 24.12.2024 ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.75 viti 2023 në ngarkim të të pandehurve:
Redi Molla, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 7 (shtatë) herë, 4 (katër) herë e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, e kryer 5 (pesë) herë, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.
Mariglen Qato, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 4 (katër) herë, e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.
Taulant Tusha, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer dy herë, e kryer në bashkëpunim.
Enton Punavija, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer dy herë, e kryer në bashkëpunim.
Julian Zanaj, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer dy herë, e kryer në bashkëpunim.
Albano Janku, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Nestor Muhametllari, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 2 (dy) herë, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 244 e 25 të Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021), si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.
Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, e akuzuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 2 (dy) herë, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.
Në njoftimin për shtyp SPAK sqaron se shumat monetare të mësipërme që përbëjnë produkt të veprës penale pjesërisht janë nxjerrë nga sistemi bankar duke përdorur skemën e pagesës së faturave fiktive dhe janë depozituar përsëri më pas në gjëndje “cash” në arkën e shoqërisë. Më pas këto shuma u janë dhënë pronarëve de facto të shoqërisë tregtare, janë përdorur për të financuar blerjen e pasurive prej tyre, apo për aktivitete të tjera të shoqërisë. Ndërsa, pjesa tjetër e shumave monetare që përbëjnë produkt të veprës penale është përdorur për të financuar aktivitetin tregtar të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.
Bëhet me dije se për periudhën 2016-2020, “5D Konstruksion” sh.p.k ka marrë 12 tendera publikë, duke shkelur rregullat e prokurimit dhe duke siguruar përfitime prej rreth 192.7 milionë lekësh.



